Agjencia për ushqim dhe veterinari asgjëson 37 ton ushqim me afat të skaduar
Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë...

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme, gjatë të cilave kanë sekuestruar rreth 37 ton ushqim.
Sipas njoftimit të Agjencisë, këto kontrolle përfshinin sasi të mëdha arrash, drithërash, bishtajore dhe erëza të ndryshme, shumë prej të cilave nuk kishin deklarata përkatëse, ndërsa disa ishin të skaduara nga një deri në dy vjet.
Për këto shkelje, operatorëve të ushqimit u janë shqiptuar ndalim të përkohshëm të punës, gjobë, si dhe urdhër për eliminimin e menjëhershëm të të gjitha mospërputhjeve të identifikuara.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njofton se gjatë javës së kaluar u zhvilluan kontrolle të intensifikuara edhe tek operatorë të tjerë të ushqimit, përfshirë kasapët, restorantet, dyqanet e sanduiçëve dhe tregjet.
Gjatë këtyre inspektimeve u gjetën disa shkelje, përfshirë operatorë të paregjistruar, mungesë të trajnimeve të detyrueshme për sigurinë ushqimore për punonjësit dhe vendosje të ushqimit të pasigurt në treg.
Si pasojë, operatorët dhe personat përgjegjës u gjobitën dhe iu vendosën ndalime të përkohshme për kryerjen e aktivitetit të tyre.
Tre ditë më parë, në bashkëpunim me Njësinë e Krimit Ekonomik dhe Kompjuterik në SPB Shkup, Agjencia për Ushqip dhe Veterinari sekuestroi gjithsej 1,641 kilogramë ushqim të pasigurt nga një automjet në zonën Çuçer-Sandevë.
Në automjet u gjetën 1,060 kilogramë arra të shtypura, 581 kilogramë kikirikë të papërpunuar me erëza dhe 900 kilogramë arra. (Armend Murseli, TVM2)
