Shkupi po pastrohet, aksioni 72 orësh përfundon sonte, janë pastruar rreth 4500 ton mbeturina
Shkupi edhe sot po pastrohet...

Shkupi edhe sot po pastrohet. Në qendër të qytetit, puna është fokusuar në shtratin e lumit Vardar, në bregun e lumit dhe bulevardet kryesore. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjerogjievski tha se është i kënaqur me punën e deritanishme. Sipas tij janë pastruar rreth 4500 ton mbeturina.
“Mendoj se kemi treguar sukses në këtë aktivitet. Dua të theksoj se nuk do të ndalemi këtu dhe aksioni do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë. Gjithashtu, dua të potencoj se gjatë më shumë se 50 orëve të fundit janë shqiptuar dënime ndaj atyre që sillen në mënyrë të pandërgjegjshme ndaj ambientit jetësor. Edhe pse ka kontenierë të zbrazët, disa qytetarë vazhdojnë të sillen si më parë, dhe kjo nuk do të tolerohet. Deri tani janë shqiptuar rreth 40 dënime.” – tha Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Qytetarët që u pyetën për efektin e pastrimit shprehen të kënaqur dhe theksojnë se imazhi i qytetit po përmirësohet.
“Mirë po vërehet dallimi, nuk duheshte të lejohej të vinte deri këtu, por më mirë kështu se sa të mbetej siç ishte,”.
“Po, po, po pastrohet. Është më mirë se më parë,”.
“Mrekullueshëm, shumë bukur. E shoh se si pastrohet dhe gëzohem, me të vërtetë gëzohem. Po pastrohet lumi dhe mendoj se është bukur,”.
“Ka disa ndryshime, por edhe më parë kanë pastruar,” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.
Ndërkohë, në Shkup po mbahet Forumi Socio-Ekologjik, ku një numër i madh ekspertësh nga fusha e ekologjisë ndajnë qëndrime dhe ide për ruajtjen e ambientit jetësor.
“Kur diskutojmë për përparimin e shtetit dhe rrugën euro-integruese, diskutojmë për hapa të vegjël që na gëzojnë si qytetarë. Kur Shkupi pastrohet për 72 orë, shteti fqinj Shqipëria dërgon dy satelitë në hapësirë. Në këtë forum nuk diskutojmë vetëm për gjelbërimin dhe pastrimin, por edhe për transportin publik dhe çdo element që e bën jetën qytetare më të mirë. Në disa prej lokacioneve që do të vizitojmë sot, do të bisedojmë për propozime konkrete për hapsira me standarde të larta që synojmë t’i arrijmë.” – u shpreh Marko Mihajllovski nga Instituti për Demokraci Sociale-Progre.
Pastrimi i qytetit do të vazhdojë deri në orën 20:30. Aksioni, i cili filloi të enjten, përfshin mbi 100 kamionë dhe rreth 800 punonjës të Higjienës Komunale në terren. Gjithashtu, një numër i madh inspektorësh komunal janë të pranishëm dhe vazhdojnë të shqiptojnë gjoba për qytetarët e pandërgjegjshëm. (Armend Murseli, TVM2)
