Botë
ShBA-ja drejt rihapjes së Qeverisë
10.11.2025 10:10
Një marrëveshje që synon t’i japë fund mbylljes më të gjatë në histori të qeverisë amerikane është miratuar nga Senati...

Senati amerikan e ka çuar përpara një projektligj që synon hapjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe përfundimin e mbylljes 40-ditore që ka prekur pagat e shumë punëtorëve federalë, i ka vonuar ndihmat ushqimore dhe e ka penguar udhëtimin ajror.
Senatorët e kanë miratuar një projektligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili do të amandamentohet për ta financuar Qeverinë deri më 30 janar, dhe përfshin një paketë të tri projektligjeve për financim të agjencive federale. Nëse Senati e miraton dokumentin me ndryshime, ai duhet të miratohet sërish nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe duhet t’i dërgohet presidentit amerikan, Donald Tramp për nënshkrim, proces që mund të marrë disa ditë.
“Duket se jemi shumë afër përfundimit të mbylljes së Qeverisë.”, u ka thënë Trampi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para se të mbahej votimi.
Projektligji do t’ua pamundësonte agjencive federale që të largonin nga puna punëtorë deri më 30 janar, një fitore kjo për sindikatat e punëtorëve dhe aleatët e tyre. Nëse Qeveria amerikane do të mbetet e mbyllur për një periudhë më të gjatë, rritja ekonomike mund të marrë drejtim negativ në çerekun e katërt, sidomos nëse trafiku ajror nuk i kthehet normalitetit deri për Festën e Falënderimeve.
