Maqedoni

Nishani: Nevojitet hetim i besueshëm për “Kumanovën”

26.05.2015 16:17

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka kërkuar hetim të plotë dhe të besueshëm për “Kumanovën” dhe jo...

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka kërkuar hetim të plotë dhe të besueshëm për “Kumanovën” dhe jo, siç ka thënë ai, shndërrimin e këtij rasti në konflikt të paqenë ndëretnik.
 
Po ashtu Nishani ka bërë thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.  
                                                                                                          
“Ngjarjet e fundit në Kumanovë na dëshmuan dhe një herë për brishtësinë e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Me këtë rast dua të përcjell ngushëllimet për humbjet tragjike e jetëve në Kumanovë dhe duke dënuar dhunën, se kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet lejuar të përshkallëzohet më tej. Pritshmëria jonë legjitime është që të ketë një hetim të plotë dhe të shpejtë për këtë ngjarje, që ka tronditur jo vetëm Kumanovën dhe qytetarët e saj të pafajshëm, por të gjithë rajonin dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, gjithsesi të izoluar në një burim konflikti të paqenë  ndëretnik dhe në vend të saj përqendrimin e energjive në zgjidhjen e të gjitha çështjeve mes palëve me dialog, përfshi dhe zbatimin pa ekuivok të Marrëveshjes së Ohrit”- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
 
Nishani këto komete i bëri gjatë Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, që u mbajt në Tiranë. Kreu i shtetit shqiptar, me këtë rast ka theksuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, si shtyllë për garancinë e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe parakushte për integrimin e vendeve të rajonit në BE.
 
Nishani vuri theksin edhe në realizimin e projekteve të përbashkëta rajonale infrastrukturore dhe energjetike .
 
”Sigurisht që për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi me BE-në dhe vendet e BE-së”- ka thënë Nishani.
 
FLORIJE KAMBERI