Maqedoni

Shumica e mbeturinave në Çair pastrohen, Qytetarët: Nevojitet pastrim më gjeneral

10.11.2025 14:25

Në Komunën e Çairit, pas një aksioni intensiv, ka përfunduar me sukses pastrimi i të gjitha rrugëve kryesore dhe rrugicave anësore në territorin e saj....

Në Komunën e Çairit, pas një aksioni intensiv, ka përfunduar me sukses pastrimi i të gjitha rrugëve kryesore dhe rrugicave anësore në territorin e saj. Gjatë këtij aksioni nga NP “Higjiena Komunale” janë mbledhur gjithsej 625 metra kub mbetje, duke i dhënë një pamje më të pastër lagjeve të kësaj komune.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se Komuna e Çairit është pastruar nga mbeturinat, mirëpo ka nevojë që edhe në disa komuna të tjera të pastrohen edhe rrugicat anësore.
 
“Unë jetoj në Radishan, aty ka lagje që nuk janë pastruar kohë e gjatë mbeturinat. Në rrugët kryesore janë pastruar mbeturinat, por ka nevojë edhe më tepër të pastrohen.”, - tha një qytetar.
 
“Me aksionin e fundit janë pastruar mirë mbeturinat nëpër Çair, tani lagjet janë më të pastra. Duhet edhe qytetarët të kenë kujdes ku i hedhin mbeturinat.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Po, i kanë pastruar, mirë ia kanë bërë.”, - u shpreh një qytetar. 
 
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se është i kënaqur me punën e deritanishme dhe se aksioni do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë. Po ashtu potencoi se janë shqiptuar rreth 40 dënime ndaj atyre që sillen në mënyrë të pandërgjegjshme ndaj ambientit jetësor.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI