Maqedoni

Anketë e organizatave të Brukselit: Të rinjtë, pesimistë për integrim të shpejt në BE

10.11.2025 14:55

Të rinjtë, gjithnjë e më pesimistë për një integrim të vendit në BE në një afat kohor racional....

Të rinjtë, gjithnjë e më pesimistë për një integrim të vendit në BE në një afat kohor racional. Sipas rezultateve të një ankete online të publikuar në Bruksel, mbi sfidat e euroskepticizmit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor: Rasti i Maqedonisë së Veriut, konfirmohet prani e euroskepticizmit tek të rinjtë, pritshmëri të ndryshme sa i përket anëtarësimit në BE. Mbi 40% kanë një qëndrim pozitiv ndaj Bashkimit Evropian, por nuk besojnë në anëtarësimin e shpejtë të vendit në BE.
 
“Kur bëhet fjalë për të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian, të dhënat tregojnë një shkallë të lartë skepticizmi. Gati gjysma e të anketuarve (46.5%) nuk besojnë se Maqedonia e Veriut do të bëhet ndonjëherë anëtare e BE-së. Ndërkohë, 35.8% besojnë se anëtarësimi është i mundur, por vetëm në një të ardhme më të largët. Vetëm 6.7% mendojnë se kjo mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme, ndërsa 11% janë të pavendosur ose nuk kanë mendim për këtë çështje.”.
 
Ndërkohë, faktorët që çojnë në pesimizëm dhe pengojnë integrimin sipas të anketuarve radhiten: korrupsioni, mosmarrëveshjet dypalëshe dhe niveli i ulët i besimit në institucione.
 
“Korrupsioni identifikohet bindshëm nga të rinjtë si pengesa më e madhe për integrimin në BE dhe është zgjedhur nga 84.6% e të anketuarve. Pas tij renditen mosmarrëveshjet dypalëshe (61%) dhe besimi i ulët në institucione (60%) – faktorë që tregojnë qartë se të rinjtë e shohin mjedisin politik vendas si pengesën kryesore për përparimin e vendit drejt BE-së. Njëkohësisht, ata shprehin pritshmëri për hapa konkretë nga institucionet kombëtare në luftën kundër korrupsionit, si themel për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për mbajtjen e të rinjve në vend.”.
 
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian për të rinjtë mbetet joshës për një jetë më të mirë dhe më cilësore.
 
“Interesi më i madh i të rinjve për temat që lidhen me Bashkimin Evropian ka të bëjë me mundësitë për punë dhe jetë në BE, të cilat janë zgjedhur nga 76.2% e të anketuarve.”. 
 
Sipas të dhënave të publikuara nga ky hulumtim, 41% e të rinjve në vend e perceptojnë pozitivisht Bashkimin Evropian, 24% shprehin qëndrim negativ, ndërsa pak më shumë se një e treta – gati 35% – mbeten neutralë. Anketa është realizuar në fund të qershorit 2025 me pjesëmarrjen e mbi 1.000 të rinjve nga Maqedonia e Veriut.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU