Rajon
Shqipëri, zgjedhjet e pjesshme vendore i fitoi PS-ja
10.11.2025 15:08
Partia Socialiste në pushtet fitoi me një shumicë të dërrmuese zgjedhjet e pjesshme vendore të së dielës....

Partia Socialiste në pushtet fitoi me një shumicë të dërrmuese zgjedhjet e pjesshme vendore të së dielës. Kandidatët socialistë fituan të gjitha bashkitë: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. PD-ja e Sali Berishës, e cila në këto zgjedhje zgjodhi që të mbështeste kandidatët e pavarur, ka pësuar disfatën e radhës. Kandidatët e saj kanë marrë rezultate minimale, ndërsa vetë PD-ja, krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, në këto 5 bashki ka pësuar një tkurrje të ndjeshme.
Në një reagim, kryeministri Edi Rama tha se fitorja në këto bashki janë arsye më shumë për t’ia shpërblyer me punë qytetarëve besimin e tyre.
Sa i përket pjesëmarrjes së ulët, as 20 për qind, Rama rendit arsyet si dobësia ekstreme e opozitës, moti me shi apo vetë natyra e zgjedhjeve të pjesshme, që nuk stimulon pjesëmarrjen.
Ndërkohë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk bëri asnjë koment për disfatën e dytë të opozitës në zgjedhjet e pjesshme.
Të thirrur në seli për mbledhje pak orë pasi ishte mbyllur procesi i numërimit të votave në 5 bashki, Berisha vijoi retorikën dhe akuzat ndaj mazhorancës, e cila, sipas tij, nuk lejon debat në Parlament dhe po pengon opozitën t’i bëjë opozitë Qeverisë.
LULJETA NDOKA
