Maqedoni

Komuna e Kërçovës, Jovanovski mori mandatin dhe premtoi projekte

10.11.2025 15:19

Jovanovski sot mori mandatin e qeverisjes 4-vjeçare dhe premtoi realizimin e projekteve me rëndësi jetike për qytetarët...

Fituesi i zgjedhjeve në Komunën e Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, sot mori mandatin e qeverisjes 4-vjeçare dhe premtoi realizimin e projekteve me rëndësi jetike për qytetarët, të cilët, me këtë rast i falënderoi për kontributin e dhënë në rregullshmërinë e procesit të votimeve në të dy ciklet zgjedhore.
 
Pasi ndau certifikatat për këshilltarët e përbërjes së re të Këshillit Komunal të Kërçovës, kryetarja e KKZ-së, Drita Ahmedi, i dorëzoi kryetarit të ri të Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, vendimin për qeverisje me komunën gjatë katër viteve të ardhshme. Ai me këtë rast, u shprehu mirënjohje të gjithë qytetarëve të komunës së Kërçovës, të cilët kontribuuan për një proces të rregullt zgjedhor dhe pa incidente, duke nënvizuar se menjëherë do të fillojë punën për realizimin e projekteve të premtuara.
 
“I falënderoj të gjithë mbështetësit dhe të gjithë qytetarët që dhanë kontributin e tyre për një proces zgjedhor demokratik, pa ofendime dhe pa incidente. Nga kjo foltore mund t’ju premtoj punë të ndershme dhe cilësore. Dua t’ju tregoj se nuk do të kemi asnjë problem. Do të angazhohem për një bashkëpunim me të gjithë të punësuarit, për bashkëjetesë, e veçanërisht për përmbushjen e premtimeve ndaj qytetarëve dhe projekteve që i premtuam.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanoski. 
 
Ndërkaq pas ceremonisë së dorëzim-pranimit të postit, kryetari i deritanishëm Fatmir Dehari, në një prononcim për mediat, i uroi suksese kryetarit të ri Aleksandër Jovanovski në realizimin e projekteve të filluara që tashmë presin realizimin konkret. 
 
“Unë nuk dua të drejtoj gishtin e fajësisë ndaj askujt dhe të bëj rolin e gjykatësit. Pendesa është akt moral për çdo gabim të mundshëm.”, tha Dehari, i cili uroi për të gjithë shëndet punë e mbarësi, paqe me veten dhe paqe me njëri-tjetrin. 
 
SHABAN DALIPI