Maqedoni

Autobusët privatë rikthehen në qytet

10.11.2025 15:25

55 autobusë nga kompanitë private të transportit janë përfshirë në trafikun publik urban në Shkup...

55 autobusë nga kompanitë private të transportit janë përfshirë në trafikun publik urban në Shkup, ndërsa deri në fund të vitit pritet të përfshihen edhe 20 automjete të tjera, gjë që pritet ta përmirësojë transportin publik në kryeqytet. Qytetarët theksojnë se transporti publik është me rëndësi të madhe për ta. 
 
“Po presim, ja sa arritëm këtu. Duhet të ketë më shumë atubusë.”, - tha një qytetare.
 
“Po, ka autobusë tani me rregull.”, - tha një qytetare tjetër.
 
“Duhet të rregullohet, të ketë autoritet e të përmirësohet transporti publik. Do të shohim se çfarë do të ndodhë më tej.”, - u shpreh një qytetar.
 
Qyteti i Shkupit premton zgjidhje afatgjate
 
Kjo zgjidhje është ad-hok. Nga Qyteti i Shkupit paralajmërojnë zgjidhje afatgjate të qëndrueshme për transportin publik. 
 
“Qytetarët do të dinë se kur do të vijë autobusi dhe për sa kohë do t’i dërgojë në stacionin e radhës. Do të jetë ekologjik dhe i shpejtë, ashtu që në fazën e ardhshme do të vendosim linja të reja të autobusëve, do të kyqemi në programin e “BRT2.0”, që do të jetë projekt i reviduar për përmirësimin dhe kyqjen edhe të atyre linjave në qytet dhe në mënyrë plotësuese presim ndihmë dhe nga Qeveria, e cila na ka premtuar se do të na ndihmojë me 80 autobusë të rinj ekologjik në vitin 2026. Nuk duhet që në linjat ekzistuese vetëm të rrisim numrin e autobusëve, por duhet në lagjet e reja të cilat u formuan në qytet, në bulevardet e reja që po formohen, të lëshojmë linja të reja, të cilat qytetarëve do t’u shërbejë për punën e përditshme.”, - deklaroi kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Dame Dimitrovski.
 
Përndryshe, ditë më parë kryetari i ri i Shkupit, Orce Gjorgjievski, në një konferencë për shtyp së bashku me transportuesit privatë, tha se përveç atyre ekzistuesve, do të përfshihen edhe autobusë të rinj të cilëve u janë dhënë licenca për të kompensuar mungesën e automjeteve në transportin publik. Gjorgjievski tha se deri në mars të vitit të ardhshëm, në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Transportit, do të sigurohen edhe 80 autobusë të rinj.
 
BELINDA KOKA ADEMI