Maqedoni

Vendim për pezullimin e pagesave të IPARD 3, Nikollovski: Ky vendim përfshin ndërprerje të plotë të pagesave

10.11.2025 15:35

Për skemat korruptive në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, partitë kanë vazhduar me akuza të ndërsjella....

Për skemat korruptive në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, partitë kanë vazhduar me akuza të ndërsjella.
 
Në LSDM pohojnë se vendimi për pezullimin e programit IPARD 3 ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë për një kohë të pacaktuar deri në përmbushjen e kushteve dhe planeve të veprimit të përcaktuara. Sipas socialdemokratëve, pezullimi nënkupton ndërprerje të plotë të pagesave ndaj bujqve dhe kompanive që tashmë kanë kontrata të nënshkruara dhe që po realizojnë investime nga ky program.
 
“Nga ana e koordinatorit kombëtar për autorizim, përmes mekanizmit për pezullimin e pagesave, është marrë dhe është shpërndarë tek autoritetet maqedonase vendimi për pezullimin e programit IPARD 3, pra vendimi për pezullimin e pagesave në IPARD 3. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, për kohë të pacaktuar, deri në përmbushjen e kushteve dhe planeve të veprimit të caktuara. Ky pezullim përfshin ndërprerje të plotë të pagesave ndaj bujqve dhe kompanive që tashmë kanë kontrata të nënshkruara dhe tashmë po realizojnë investime nga ky program, nënshkrimin e kontratave të reja dhe marrjen e detyrimeve financiare nga agjencia e pagesave, si dhe publikimin e thirrjeve të reja publike.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Ljupço Nikollovski.
 
Në LSDM kërkojnë përgjegjësi nga ministri i Bujqësisë, sepse ai ka qenë kompetent për mbikëqyrjen e programit dhe paralajmërojnë se do të iniciojnë debat tematik në Komisionin për Bujqësi në Kuvend. 
 
Në VMRO-DPMNE, ndërkaq, thonë se arrestimi i drejtorit të Agjencisë së Pagesave dhe bashkëpunëtorëve të tij është dëshmi se ligjet vlejnë njësoj për të gjithë.
 
“Ky është fakt se drejtësia vlen njëjtë për të gjithë, pa marr parasysh a është nga VMRO-DPMNE apo nga LSDM. Neve na është e qartë se për LSDM-në është çudi, mirëpo duhet të kuptojnë se drejtësia vlen njëjtë për të gjithë.”, - theksoi anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski.
 
Për këtë skandal janë në paraburgim drejtori i Agjencisë së Pagesave dhe katër persona të tjerë për marrje ryshfeti, për dhënie të mundshme të fondeve për projekte nga programi IPARD 3, edhe pse nuk ishin plotësuar kushtet ligjore.
 
ARMEND MURSELI