Botë
Armëpushimi i brishtë në Gazë, Izraeli konfirmon mbetjet e një ushtari
10.11.2025 16:13
Izraeli njoftoi se testet forenzike kanë konfirmuar se kanë marrë mbetjet e Hadar Goldin...

Izraeli njoftoi se testet forenzike kanë konfirmuar se kanë marrë mbetjet e Hadar Goldin, një ushtar i vrarë në Gazë në vitin 2014. Veprimi i Hamasit përbën një zhvillim të rëndësishëm në armëpushimin e arritur me ndërmjetësimin e ShBA-së, i cili ishte tronditur për shkak të vonesave në kthimin e trupave të pengjeve dhe përleshjeve mes trupave izraelite dhe militantëve në Gazë.
“Hamasi e di se ku ndodhen pengjet tona në Gazë dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm se ata mund t’i gjejnë të gjithë nëse bëjnë më shumë përpjekje për ta respektuar pjesën e tyre të marrëveshjes për armëpushim.”, - deklaroi zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian.
Pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon të bllokojë punën në Gazë dhe të pengojë ekipet të kërkojnë trupat e pengjeve, por edhe ekipet që menaxhojnë mbetjet e ngurta. Për shkak të këtij pengimi, Bashkia e Gazës u detyrua të krijojë një vend grumbullimi të përkohshëm në zemër të qytetit. Ajo që fillimisht u mendua si një zgjidhje emergjente, shpejt u kthye në një krizë të rëndë mjedisore dhe shëndetësore.
“Këto mbeturina në zemër të qytetit të Gazës janë një bombë me sahat për banorët dhe të zhvendosurit që jetojnë këtu. Po përballemi me një realitet të rrezikshëm që ndikon në jetën e përditshme dhe përkeqëson situatën humanitare.”, - tha një banor i Gazës.
“Problemi po përkeqësohet çdo ditë dhe dëmi po shtohet. Fëmijët kanë zhvilluar alergji të lëkurës, për shkak të mbetjeve. Plehrat duhet të hiqen, por nuk ka pajisje, dhe kjo është një problem edhe më i madh.”, - tha një banor tjetër i Gazës.
“Nuk kemi mundur të flemë gjithë natën për shkak të mushkonjave. Fëmijët po kafshohen, nuk ka trajtim dhe një erë e keqe po përhapet.”, - u shpreh një banore e Gazës.
Shtetet e Bashkuara kanë propozuar krijimin e një force për mbikëqyrjen e marrëveshjes së armëpushimit në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.
Qeveria izraelite ka bërë të ditur se Turqia nuk do të marrë pjesë në asnjë forcë të ardhshme ndërkombëtare në Gazë, pasi Stambolli ka lëshuar urdhër arresti për kryeministrin Netanjahu dhe 36 zyrtarë të tjerë.
FARIJE DAUTI BAKIU
