Botë

Bllokada buxhetore në ShBA, Senati bëri hapin e parë drejt zhbllokimit

10.11.2025 16:36

Senati ka bërë hapin e parë drejt përfundimit të bllokadës së qeverisë amerikane...

Republikanët ranë dakord që në dhjetor të votojnë për vazhdimin e subvencioneve nga Ligji për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor, të cilat u mundësojnë qytetarëve të ardhura më të ulëta për pagesat e sigurimit shëndetësor privat.
 
“Në këtë votim 60 vota janë ‘pro’ dhe 40 ‘kundër’. Tre të pestat e Senatit, të zgjedhur dhe betuar rregullisht, kanë vendosur pozitivisht. Propozimi, pas shqyrtimit të përsëritur, miratohet.”, - deklaroi republikani nga Ohio, Xhon Husted.
 
Marrëveshja përfshin gjithashtu anulimin e përjashtimeve masive nga puna e punonjësve federalë të urdhëruar nga administrata Tramp dhe do të sigurojë shlyerjen e borxhit të pagave të prapambetura për rreth 1 milion e 250 mijë punonjës federalë, përfshirë ushtarakët, rojet kufitare dhe kontrollorët e trafikut ajror.
 
“Kemi bërë një hap të madh përpara për të mbrojtur kujdesin shëndetësor të dhjetëra milionë amerikanëve, në këmbim të financimit deri më 31 janar. Kjo marrëveshje do t’u japë demokratëve kontroll mbi Senatin për të votuar një nga prioritetet tona kryesore legjislative, vazhdimin e kredive tatimore për primet nga Ligji për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur republikanët kontrollojnë çdo degë të Qeverisë.”, - theksoi demokratja nga Nju Hempshër, Xhejn Shahen.
 
Bllokada, e cila filloi si një mosmarrëveshje politike rreth ndarjes së fondeve buxhetore, çoi në vonesa të ndihmës ushqimore, ndërprerje të shërbimeve publike dhe vonesa në trafikun ajror.
 
“Kjo marrëveshje financon programet SNAP dhe ndihmën ushqimore, siguron që zyrtarët e rendit, kontrollorët e fluturimeve dhe punonjësit e tjerë federalë të paguhen. Ajo anulon përjashtimet e papërgjegjshme nga puna të urdhëruara së fundmi nga presidenti dhe parandalon përsëritjen e tyre në të ardhmen, dhe më e rëndësishmja, i jep Kongresit një rrugë të qartë përpara për të mbrojtur kujdesin shëndetësor të njerëzve.”, - u shpreh demokratja nga Nju Hempshër, Megi Hasan. 
 
Presidenti i ShBA-së beson se fundi i bllokadës më të gjatë në historinë e qeverisë amerikane po afrohet. Ai u përfshi sërish në debat dhe kërkoi që subvencionet për sigurimin shëndetësor të zëvendësohen me pagesa direkte për individët.
 
“Duket se jemi shumë afër fundit të mbylljes. Kurrë nuk kemi rënë dakord për këtë. Nuk e dimë me siguri.”, - u shpreh presidenti amerikan, Donald Tramp.
 
Hapi i radhës është që Senati të dakordohet për paketën përfundimtare. Vetëm pas arritjes së marrëveshjes, propozimi do të shkojë përsëri në Dhomën e Përfaqësuesve, ku gjithashtu duhet të miratohet. Procesi mund të zgjasë disa ditë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU