Bashkëpunimi ekonomik Maqedoni-Vietnam, marrëveshje për nxitje dhe mbrojtje të investimeve

26.05.2015 17:08

Investimet maqedonase në Vietnam, por edhe investimet vietnameze në Maqedoni tanimë janë të mbrojtura edhe me ligj...

Kuvendi miratoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet qeverisë së RM-së dhe Qeverisë së Republikës Socialiste të Vietnamit për nxitje dhe mbrojtje të ndërsjellë të investimeve. Miratimi i një marrëveshje të tillë u kontestua nga deputetja e RDM-së, Liljana Popovska, e cila ngriti një sërë dyshimesh rreth kësaj marrëveshje. Sipas saj, këmbimi tregtar mes dy vendeve është inekzistent, ndërkaq Vietnami nuk njihet si vend me kapacitet ekonomik për të investuar jashtë.

Ajo pyeti zëvendësministrin e Ekonomisë nëse pas kësaj marrëveshje qëndron investitor nga Maqedonia që dëshiron të investojë në Maqedoni përmes Vietnamit. 

“Mos e dini vallë emrin e qytetarit nga Maqedonia i cili dëshiron, përmes Republikës Socialiste Vietnam, të jetë kinse investitor në RM. Prandaj ne si kuvend i ratifikojmë marrëveshjet për mbrojtjen e investimit të tij?!”- tha    Liljana Popovska nga RDM.

Popovska nuk mori asnjë përgjigje nga zëvendësministri i Ekonomisë për nevojën e miratimit të kësaj marrëveshje dhe as për pyetjet pse ratifikohen marrëveshje të tilla, ndërkaq ngec ratifikimi i marrëveshjeve multilaterale dhe dypalëshe me vendet evropiane ose të BE-së. Marrëveshja u arsyetua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. 

“Pavarësisht që bëhet fjalë për RS Vietnam, ajo është një nga ekonomitë më të avancuara në atë pjesë të botës. Vetëm në dy vitet e fundit në RS Vietnam keni investime mbi 15 miliardë dollarë”- theksoi Sasho Vasilevski nga VMRO-DPMNE.

Marrëveshja për nxitje dhe mbrojtje të ndërsjellë të investimeve me Vietnamin u nënshkrua në Shkup, gjatë vizitës zyrtare të zëvendëskryetares së RS Vietnam, Ngujen Ti-Doan, në fillim të dhjetorit të vitit 2014.

Veç kësaj, Maqedonia dhe Vietnami kanë nënshkruar marrëveshje për evitimin e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshje për heqjen e vizave për zyrtarë me dokumente qarkullimi diplomatike dhe zyrtare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)