Presidentja Davkova priti një delegacion të Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë nga Parlamenti suedez

10.11.2025 22:10

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova...

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti një delegacion të Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë nga Parlamenti suedez – Riksdag, të udhëhequr nga Lota Xhohnson Fornavre, i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Suedisë, Ola Sollstrom.

Siç bëri të ditur Kabineti Presidencial, Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e shkëlqyer me deputetët suedezë, të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, duke theksuar se një partneritet i tillë është bazë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe midis dy shteteve.

“Ajo kujtoi se Suedia është donatori i katërt më i madh dypalësh për vendin dhe se mbështetja e saj reflektohet jo vetëm në ndihmën për zhvillim, por edhe në rolin e saj si lehtësuese e reformave evropiane. Si ish-anëtare e Grupit Monitorues për Bashkëpunim me Riksdagun suedez, Siljanovska-Davkova theksoi se demokracia parlamentare suedeze ka qenë gjithmonë një shembull nga i cili mund të mësojmë. Sipas saj, përvoja e fituar përmes një bashkëpunimi të tillë është një nxitje për dialogje të reja, të hapura dhe konstruktive që do të forcojnë kulturën politike dhe pjekurinë institucionale në vend”, - thuhet në komunikatë.

Shtohet se deputetët suedezë shprehën hapje dhe vendosmëri për të vazhduar bashkëpunimin parlamentar, shkëmbimin e përvojave demokratike dhe ndihmën e mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Presidentja porositi se përparimi drejt BE-së duhet të bazohet në një sistem merite, dhe jo në kushtëzime politike dhe kërkesa të njëanshme”, - informuan nga Kabineti Presidencial.