Botë

Senati amerikan miratoi projektligjin për financim

11.11.2025 09:28

Pas një dite të gjatë debatesh në Capitol Hill, Senati amerikan miratoi një masë për rihapjen e qeverisë federale...

Pas një dite të gjatë debatesh në Kapitol Hill, Senati amerikan miratoi një masë për rihapjen e qeverisë federale, duke i dhënë fund një mbylljeje 41-ditore që preku miliona punonjës.

Republikanët arritën të sigurojnë 60 votat e nevojshme, duke kaluar pragun për miratim dhe duke hapur rrugën që projektligji të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve. Senatorja republikane, Susan Kollins, e cila luajti një rol kyç në arritjen e kompromisit, deklaroi se “Qeveria do të rihapet dhe punonjësit federalë do të marrin kompensimin që e meritojnë.”. Ndërsa shumica e senatorëve ishin larguar për të kapur fluturimet e tyre jashtë qytetit pas një fundjave të ngarkuar pune, disa – përfshirë udhëheqësin e shumicës Xhon Thun qëndruan për të ndjekur procesin deri në fund.
 
Miratimi i Senatit pritet të sjellë lehtësim për miliona punonjës federalë, që do të rikthehen në punë dhe do të marrin pagesat e prapambetura. Projektligji do të kalojë tani në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila pritet ta shqyrtojë të mërkurën.