Maqedoni

Fetai: Nisin negociatat për rikonstruimin e Qeverisë

11.11.2025 11:33

Koalicioni VLEN është dakorduar që vendi i Izet Mexhitit t’i takojë Bekim Salit.

Koalicioni VLEN është dakorduar që vendi i Izet Mexhitit, pas marrjes së funksionit kryetar i Komunës së Çairit, t’i takojë Bekim Salit. Kështu vlerëson zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili shton se pritet ditëve në vijim që LD-ja të propozojë emër edhe në krye të Ministrisë për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor. Negociatat për rikonstruim do të zhvillohen këtë javë me kryeministrin Mickoski. 
 
“Kemi një dakordim në kuadër të Koalicionit VLEN, që pas largimit të Izet Mexhitit, i cili tashmë është kryetar i Çairit, duhet të vijë zëvendësues për pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe propozimi i Koalicionit VLEN është që ky zotëri të jetë Bekim Sali. Çështja tjetër, natyrisht, siç e dini, Lëvizja Demokratike kishte edhe ministrin e Mjedisit, pra Izet Mexhiti kishte dy role, si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit, pra ishte ministër me resor apo zëvendëskryeministër me resor, tani Izet  Mexhiti dhe Lëvizja Demokratike do të propozojnë, sigurisht edhe një emër për ministër të Mjedisit dhe besoj, brenda kësaj jave. Nesër, më së largu, do të ulemi me kryeministrin si mandatar dhe do t’i shtojmë këto çështje, do të gjejmë edhe zgjidhje në bazë të asaj që është dakorduar si hise e partnerëve të koalicionit.”, - deklaroi zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.