Shqipëria dhe Kosova, objektivi kryesor luajtja në “Play-Off”
11.11.2025 12:47
Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar punën në Barcelonë...

Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar punën në Barcelonë, për të përgatitur dy sfidat e fundit, që do të vendosin fatin në kualifikueset e “Botërorit 2026”. Kombëtarja shqiptare në 180 minutat e fundit të kualifikuese ndaj Andorrës dhe Anglisë, të vlefshme për Botërorin 2026, po futet me një moral të lartë pas tre fitoreve radhazi. Objektivi kryesor i të gjithëve në kombëtaren shqiptare është luajta në “Play-Off”.
“Objektivi është vetëm që të shkojmë në “Play-Off”, jemi shumë afër, na duhen edhe këto dy ndeshje, fillimisht fitorja e parë me Andorrën dhe më pas shikojmë Anglinë. Ky është objektivi, të shkojmë në “Play-Off”.”, u shpreh Mario Mitaj, futbollist i Shqipërisë.
Skuadra kuqezi do të luajë më 13 nëntor në transfertë kundër Andorrës dhe tri ditë më pas në Tiranë kundër Anglisë. Kombëtarja shqiptare renditet aktualisht në vendin e dytë me 11 pikë.
Përfaqësuesja e Kosovës sot ka zhvilluar stërvitjen e radhës në prag të ndeshjeve të nëntorit. Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Botërorin 2026 kundër Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues. Trajneri Franco Foda, në konferencën për media ka folur për synimet për ndeshjet vendimtare të këtij muaji.
“Që në fillim të kualifikimeve kam thënë se grupi do të vendoset në ndeshjen e fundit. Dhe tani jemi pikërisht në atë situatë. Për ne gjithçka është e mundur. Tani fokusi ynë është të përqendrohemi te ndeshja e radhës kundër Sllovenisë. Aty duhet patjetër të marrim të paktën një pikë, që të sigurojmë pjesëmarrjen në ndeshjet e “Play-Off”-it. Më pas do të shohim tutje.”, ka theksuar Foda.
Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ndodhet në vendin e dytë të grupit me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra lidere. Sllovenia renditet e treta me tri pikë, ndërsa Suedia është e fundit me një pikë. (Gazetar: Safet Ademi)
