Maqedoni
Gjykimi për Koçanin, angazhohen 15 prokurorë, Koceski: Po punohet në zgjerimin e hetimeve
11.11.2025 14:04
Rreth 15 prokurorë do të përfaqësojnë aktakuzën në gjykatë për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan...

Rreth 15 prokurorë do të përfaqësojnë aktakuzën në gjykatë për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, në të cilën e humbën jetën gjithsej 63 të rinj dhe mbi 200 të tjerë u lënduan. Kryeprokurori Ljupço Kocevski bëri të ditur se për shkak të peshës dhe lëndës voluminoze dhe angazhimeve tjera që kanë prokurorët aktualë me lëndët tjera, është marrë vendim që në gjykatë për këtë lëndë gjithmonë të ketë më shumë prokurorë, me qëllim që të mos ngadalësohet procedura e gjykimit kur ata do të mungojnë. Koceski thotë se PThP është ekipuar dhe ka përcaktuar mënyrën e përfaqësimit të lëndës para trupit gjykues. Koceski pohon se PThP punon intensivisht edhe në zgjerimin e hetimeve, ku prokurorët aktualisht po zhvillojnë procedura parahetimore lidhur me përgjegjësitë eventuale që mund t’i kenë pasur nëpunësit policorë ose administratorët e Drejtorisë për të Ardhura Publike me këtë diskotekë.
“Sa i përket procedurave hetimore për nëpunësit policorë, ishte e parashikuar që deri në fund të shtatorit ajo të përmbyllet, mirëpo për shkak të disa rrethanave objektive lidhur me dëgjimin e disa dëshmitarëve, pak u vonua. Tashmë të gjithë dëshmitarët po merren në pyetje, me çka, me siguri me fillimin e muajit të ardhshëm do të merret edhe vendim nga ana e prokurorëve publikë për këtë çështje. Sa i përket procedurës parahetimore për nëpunësitë e DAP-it, mund të them se aktualisht po zhvillohet procedurë parahetimore në PThP në Koçan, ku prokurori kompetent ka dhënë disa urdhra për të vepruar, mirëpo deri në këto momente nuk mund të them asgjë më shumë se kjo.”, - deklaroi kryeprokurori i RMV-së, Ljupço Kocevski.
PThP po ashtu është duke i shqyrtuar edhe abuzimet e mundshme të fondeve IPARD. Kocevski, pa dashur të tregojë detaje, thotë se po punohet në sigurimin e dëshmive të nevojshme edhe për këtë çështje.
“Çdo procedurë parahetimore është sekrete. Këtë lëndë disa muaj me radhë e hetonim dhe po e zhvillonim, kështu që veç më kemi dhënë udhëzime ku arritëm të sigurojmë prova, pasi që ju edhe vetë e dini se më herët patëm edhe disa të akuzuar ku ka filluar edhe procedurë hetimore. Paraburgimi është përcaktuar për disa të dyshuar, kështu që do të shohim çfarë do të ndodhë, por në këto momente nuk mundemi më shumë për t’ju thënë.”, - theksoi kryeprokurori i RMV-së, Ljupço Kocevski.
Koceski tha se pajtohet me raportin e fundit të KE-së lidhur me gjendjen në të cilën ndodhen organet e ndjekjes, por ai thotë se PTHP aktualisht është duke punuar me kapacitete të përgjysmuara. Ai thekson se PTHP ka mungesë të theksuar të burimeve njerëzore dhe material, si dhe kërkon më shumë mjete financiare për nevojat e Prokurorisë.
REXHEP QAMILI
