Maqedoni
Konferencë e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, korrupsioni, krimi dhe terrorizmi, tema kyçe
11.11.2025 14:24
Autoritetet e vendit janë të vendosur që t’i luftojnë këto dukuri dhe të punojnë për të ardhmen prosperuese të shtetit e rajonit....

Sfidat kryesore të rajonit në fushën e sigurisë, luftimit të krimit dhe korrupsionit, siguria e kufijve, migracioni dhe siguria kibernetike, janë rreziqet që i kanosen rajonit, u konstatua në përvjetorin e dhjetë të Konferencës së Këshillit Rajonal për Bashkëpunim. Autoritetet e vendit janë të vendosur që t’i luftojnë këto dukuri dhe të punojnë për të ardhmen prosperuese të shtetit e rajonit.
“Maqedonia e Veriut përmes këtij organizimi të kësaj ngjarjeje në bashkëpunim me RCC-në dhe qeverinë e Italisë, dëshmon gatishmërinë e saj si partnere në nivel rajonal për të thelluar bashkëpunimin në këto tema tejet të rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe për të ardhmen e integrimit evropian.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Arben Fetai.
“Të japim këtë reflektimin e sigurisë rajonale, çështjes së sigurisë në përgjithësi, si një vend i cili angazhohet dhe e do sigurinë edhe për veten, edhe për rajonin, edhe për Evropën.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Krimi, korrupsioni dhe terrorizmi janë kërcënimet më serioze për rajonin, thanë organizatorët tjerë kryesorë të konferencës.
“Sipas qytetarëve, kërcënimi më i madh në rajon janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Në vend të dytë si kërcënim të dytë e shohin sulmin kibernetik, të cilat nuk parandalohen me lehtësi.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i KBR-së, Amer Kapetanoviq.
“Një prej kërcënimeve kryesore është terrorizmi. Për këtë arsye duhet të shkëmbejmë informacione dhe të kemi bashkëpunim më të madh, në mënyrë që ta luftojmë këtë kërcënim.”, - deklaroi zëvendësdrejtori në MPB-në e Italisë, Stefan Gambakutra.
Të gjitha këto tema do të shtjellohen në Shkup, mendime dhe ide që do të shërbejnë si platformë për t’i luftuar fenomenet negative në fjalë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
