Botë
Sulme vetëvrasëse në Indi dhe Pakistan, dhjetëra të vrarë dhe të plagosur në të dy vendet
11.11.2025 14:44
Një shpërthim shokues i një makine pranë fortesës historike Red Fort në qendër të Delhit...

Një shpërthim shokues i një makine pranë fortesës historike Red Fort në qendër të Delhit, kryeqytetit të Indisë, la të paktën 8 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Dëshmitarët okularë përshkruan skena kaosi: makina të djegura, njerëz të shtrirë në rrugë dhe panik në zonën e mbushur me këmbësorë. Autoritetet kanë rritur masat e sigurisë në qytete të tjera kryesore, ndërsa hetimet po zhvillohen nga agjencitë më të larta të sigurisë kombëtare.
“Isha vetëm 10 metra larg vendit të ngjarjes kur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm. Dola nga vetura ime dhe pash një veturë që kishte marrë flakë, pash trupa të plagosur të shpërndarë kudo nëpër rrugë.”, - tha një dëshmitar okular.
“Po pinim çaj dhe ndodhi papritur shpërthimi pranë semaforëve atje. U shtangëm për disa minuta duke parë shpërthimin, pastaj menjëherë morëm pajisjet dhe nisëm të filmonim. Pamë 10 deri në 12 makina të dëmtuara. Është një zonë për këmbësorë, kështu që gjithçka ishte në kaos, njerëzit po vraponin për t’u larguar. Pashë 18 deri në 20 persona të plagosur përpara syve të mi, disa ishin në makina, disa të përfshirë nga flakët. Ishte një tragjedi që e pashë me sytë e mi.”, - tha një dëshmitar tjetër okular.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, pas ngjarjes vuri theksin te vendosmëria e autoriteteve për të zbardhur plotësisht këtë sulm dhe për të sjellë autorët para drejtësisë.
“Ngjarja e tmerrshme që ndodhi në Delhi na ka tronditur thellë të gjithëve. E kuptoj dhimbjen e familjeve të prekura. Sot i gjithë kombi qëndron pranë tyre. Isha në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë zyrtarët kyç dhe agjencitë që po hetojnë këtë incident. Po zhvilloheshin diskutime dhe po bëheshin përpjekje për të lidhur çdo copë informacioni. Agjencitë tona do të dalin në thelb të këtij komploti. Komplotistët pas tij nuk do t’i kursenim.”, - deklaroi kryeministri i Indisë, Narendra Modi.
Ngjarja e dhunshme në Delhi ndodhi vetëm disa orë pas një sulmi vetëvrasës në Islamabad të Pakistanit, ku u vranë 12 persona dhe u plagosën 27 të tjerë. Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë qenë të larta për vite me radhë dhe sulmet e njëpasnjëshme theksojnë pasigurinë në rajon. Autoritetet indiane kanë forcuar sigurinë në kryeqytet dhe qytete të tjera të mëdha, ndërsa hetimet vazhdojnë.
FARIJE DAUTI BAKIU
