Maqedoni
Katër komunat ku dështuan zgjedhjet, Mickoski: Emërimet, pas njoftimit të KShZ-së
11.11.2025 15:05
Mickoski thotë se do të emërojë përfaqësues pasi që të marrë njoftimin nga KShZ...

Në katër komunat, Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë, ku nuk u arrit censusi në zgjedhjet lokale, kryeministri Hiristijan Mickoski thotë se do të emërojë përfaqësues pasi që të marrë njoftimin nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për përfundimin e procesit zgjedhor.
“Këtë do ta bëjmë në harmoni me ligjin. Që ta bëjmë këtë, duhet fillimisht të marrim njoftim nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se në ato 4 komuna, zgjedhjet janë të pasuksesshme, e më pas Qeveria do të emërojë përfaqësues.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Emrat e rinj në Qeveri, Fetai: Sali në vend të Mexhitit, Ministria e Mjedisit Jetësor i mbetet LD-së
Ndërkohë priten edhe emrat e rinj në ekzekutiv, për shkak se i dyti i Qeverisë, Izet Mexhiti, mori mandatin e kryetarit të Komunës së Çairit. Do të propozohet emër edhe për resorin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kuadër i LD-së, njofton zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
“Kemi dakordim në kuadër të Koalicionit VLEN që pas largimit të Izet Mexhitit, i cili tashmë është kryetar i Çairit, duhet të vijë zëvendësues për pozitën e zëvendëskryeministrit të parë. Propozim i Koalicionit VLEN është që të jetë Bekim Sali. Tani Izet Mexhiti dhe LD-ja do të propozojnë sigurisht edhe një emër për ministër të Mjedisit dhe besoj brenda kësaj jave, nesër më së largu, do të ulemi me kryeministrin si mandatar, do t’i shtrojmë këto çështje që të merret zgjidhje në bazë të asaj që është dakorduar si hise e koalicionit.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.
I pyetur për sjelljen e ministres së Arsimit, Janevska, ndaj komunikimit në shqip të kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, Fetai tha se qasja e kësaj qeverie është mirëkuptimi, ndërkaq shtoi se vetë ministrja pati reagim dhe kërkoi ndjesë për sjelljen e saj. Koalicioni VLEN një ditë më parë porositi që mosnjohja e gjuhës shqipe të mos kalojë në frustrim. Ndërsa nga VMRO-DPMNE kanë thënë shkurt se: “Është e nevojshme të respektohen ligjet dhe kjo nuk është frustrim, por respektim i ligjeve në Maqedoni”.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
