Takimi i tretë i liderëve politik, asgjë konkrete për dalje nga kriza politike

26.05.2015 17:40

Asgjë konkrete nuk u arrit as në takimin e tretë të liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev, takimin e sotëm e kanë shfrytëzuar për t’i njoftuar dy liderët e partive politike shqiptare, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSh-së, si dhe ambasadorin e ShBA-ve, Xhes Bejlin, dhe atë të BE-së, Aivo Orav, për atë se çka është diskutuar në takimin e realizuar me 19 maj në Strasburg.

Lideri i LSDM-së, Zaev, nuk dha detaje mbi atë se çka është diskutuar saktësisht në Strasburg, sepse përfaqësuesit e BE-së duhet të dalin me hollësi rreth takimit.

Ai sqaroi edhe një herë se me vetë faktin që nuk kanë hyrë në negociata konkrete, le të nënkuptohet se të gjitha partitë ngelen në qëndrimet e njëjta.

“Punën e parë që e bëmë është se me Gruevskin ndamë informacione për liderin e BDI-së dhe PDSh-së, por edhe me ambasadorët që janë këtu në pozitën e vëzhguesve se çka është biseduar në Strasburg, në takimin që kishim unë dhe Gruevski, komisioneri Han dhe tre eurodeputetët. Nuk kemi hyrë në detale dhe nuk mund të tregoj se a ka ndonjë përparim për shkak se negociatat ende nuk kanë filluar. Të mundura janë edhe zgjidhjet e shpejta, por për këtë duhet dikush të ndërmarrë diçka. Është obligim i të gjithëve dhe nuk duhet të lejojmë stërzgjaten e bisedimeve dhe negociatave, sepse jemi të vetëdijshëm se sa keq ndikon kriza politike tek përditshmëria e qytetarëve dhe ardhmëria e Maqedonisë”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Edhe sot kryeministri, Nikolla Gruevski, u largua pa u prononcuar para mediave, ndërsa në emër të tij u drejtua deputeti, Ilija Dimovski, i cili nuk dha detaje, por vetëm konfirmoi se është diskutuar për bisedimet në Strasburg.

Zëdhënësi i PDSh-së, Luan Tresi, tha se pritet që takimi i ardhshëm i liderëve të hyjë në fazë më thelbësore.

“Unë nuk do të kisha hy në detaje, sepse e gjithë rrjedhshmëria e bisedimeve ka filluar më herët dhe e kanë formatin dhe i jepet mundësi përmbajtjes dhe rezultateve të mundshme në interes të shtetit dhe qytetarëve”- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

“U informuan partitë politike shqiptare për bisedat që u zhvilluan në Strasburg, ku morën pjesë dy liderët e partive maqedonase. Në këtë takim katër liderët u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë në fillim të javës që vjen dhe pritet që bisedimet të hynë në fazën më thelbësore”- theksoi  zëdhënësi i PDSh-së, Luan Tresi.

Katër liderët janë dakorduar që takimi i radhës të mbahet më 1 qershor, në të njëjtin vend dhe në të njëjtin format.

Lideri i LSDM-së, Zaev, njoftoi se që nga dita e nesërme do të fillojë përsëri me publikimin e audio-xhirimeve të përgjuara. (Sanije Kasami, TVM2)