Prishtinë, u varrosën 8 të vrarët në Kumanovë
Ceremonia e nderimit është organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së...

Në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë u varrosën tetë shqiptarët e vrarë në Kumanovë. Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella dhe Arben Rexhaj u varrosen në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në, lagjen Velania, në Prishtinë, pasi qindra qytetarë dhe përfaqësues të partive politike bënë homazhe pranë arkivoleve të tyre në sallën “1 tetori” në Prishtinë.
Ceremonia e nderimit është organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
“Dhembja që sot na krijuat nga mungesa e juaj do ta zëvendësojmë me idealin tuaj për lirinë e atdheut, duke mos kursyer jetën. Rënia juaj është pjesë e lirisë së atdheut, e cila nuk është realizuar”- deklaroi Xhavit Jashari nga OVL-UÇK.
Tetë të vrarët në Kumanovë u përcollën me nderime nga ish pjesëtarët e UÇK-së, Brigada "Shqiponjat e zeza", ashtu si edhe i vrari i nëntë, Beg Rizaj, i cili me kërkesë të familjarëve të tij është varrosur të dielën në Kompleksin Memorial në Deçan. (Gyltene Sinani, TVM2)
