Rajon
Hill dëshmon në Hagë: Shumë persona flisnin në emër të UÇK-së
12.11.2025 14:14
Ish-diplomati amerikan, Kristofer Hill, në ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale në Hagë...

Ish-diplomati amerikan, Kristofer Hill, në ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale në Hagë, si dëshmitar i thirrur nga Hashim Thaçi, tha se kishte shumë persona që flisnin në emër të UÇK-së. Adem Demaçi ishte gjithmonë shumë i rreptë dhe strikt për çdo temë, theksoi Hill.
“Sipas meje dhe në cilësinë time si i deleguar i posaçëm, unë e kisha të qartë dhe të tjerët ma kishin bërë të qartë se ne nuk e dinim se kush fliste për UÇK-në. Për shembull, zoti Demaçi fliste për rolin që ai kishte në UÇK, por askush nuk ma konfirmoi. Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen.”, - deklaroi ish-diplomati amerikan, Kristofer Hill.
Hill tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.
“Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes që Kosova do të jetë Republikë, pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thonin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.”, - theksoi ish-diplomati amerikan, Kristofer Hill.
Hill po ashtu deklaroi se zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte Jakup Krasniqi, i cili i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së. Duke folur për komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Hill tha se nuk e di se nga kush janë lëshuar ato dhe për çfarë qëllimesh. Ish-diplomati amerikan, njëherësh theksoi se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.
GYLTENE SINANI
