Botë

Tensionet mes ShBA-së dhe Venezuelës në rritje, ushtria e Venezuelës, e gatshme për luftë

12.11.2025 14:41

Tensionet në Karaibe janë përshkallëzuar, pasi Venezuela ka mobilizuar forcat e saj...

Tensionet në Karaibe janë përshkallëzuar, pasi Venezuela ka mobilizuar forcat e saj të armatosura pas pranisë së aeroplanmbajtëses amerikane “USS Gerald R. Ford” pranë brigjeve të saj. Karakasi e sheh lëvizjen si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit kombëtar, ndërsa nga Uashingtoni vijnë sinjale se prania ushtarake amerikane në rajon nuk është rastësore.
 
“Nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë ndonjë pauzë. Do të vazhdojmë me vendosmëri për t’u përgatitur në mbrojtje të atdheut tonë në të gjitha fushat, pavarësisht nga kërcënimi, intensiteti apo përmasat e tij. Po shqyrtojmë të gjitha skenarët.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Padrino Lopez.
 
Ndërsa Karakasi paralajmëron gatishmëri për çdo skenar, nga Uashingtoni vijnë mesazhe që nënkuptojnë forcë dhe vendosmëri. Presidenti Donald Tramp ka theksuar se Shtetet e Bashkuara ecin drejt rikthimit të fuqisë dhe kontrollit në rajon.
 
“Nuk do të doja ta thosha, sepse kjo do t’i jepte atij personi menjëherë një shtysë. Është sikur të pyesin: “A do ta sulmosh Venezuelën? A do ta sulmosh këtë apo atë?”. Dhe unë them: “Nuk do t’ju tregoj nëse po apo jo. Kështu që nuk dua të them shumë…”. Por mendoj këtë, se ne po ecim jashtëzakonisht mirë. Kjo është ekonomia më e madhe që kemi pasur ndonjëherë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar ka ndërprerë pjesërisht bashkëpunimin në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me ShBA-në, për shkak të dyshimeve mbi ligjshmërinë e sulmeve amerikane. Edhe Franca ka kritikuar operacionet ushtarake amerikane në Karaibe si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë kryer të paktën 19 sulme kundër anijeve në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke vrarë të paktën 76 persona. Uashingtoni justifikon sulmet si përpjekje për të luftuar kartelat e drogës.
 
FARIJE DAUTI BAKIU