Maqedoni
Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar, Mucunski: Komisioni të punojë pa presione
12.11.2025 15:13
Politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike të Komisionit të Ekspertëve Maqedono-Bullgarë për Çështjet Historike....

Politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike të Komisionit të Ekspertëve Maqedono-Bullgarë për Çështjet Historike. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i pyetur rreth deklaratës së bashkëkryesuesit të komisionit të përbashkët, Angel Dimitrov, i cili tha se puna e Komisionit është e bllokuar. Mucunski theksoi se detyrimi i anëtarëve është ekskluzivisht të debatojnë dhe të nxjerrin përfundime bazuar në metoda shkencore, pa presion ose caktim të një afati kohor.
“Politika i ka hequr duart që kur Qeverinë e udhëheq kryeministri Mickoski dhe që nga koha kur unë jam ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Ne as nuk kemi ushtruar presion e as ndikim, gjë që për fat të keq ndodhte në të kaluarën, për çka ka dëshmi edhe nga anëtarët e komisionit të asaj kohe. Nëse do të hyja në komentimin e asaj që e ka thënë zoti Dimitrov dhe besoni, kam qëndrim personal si njeri për shumë gjëra që ai ka thënë kohët e fundit ndoshta do ta arrija qëllimin që edhe ai e dëshiron, që ta politizojmë këtë proces.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Edhe bashkëkryesuesi nga ekipi maqedonas i komisionit të përzier për çështje historike, Vanço Georgiev, nuk komentoi deklaratat e kolegut të tij bullgar.
“Nuk do të komentoj deklarata politike, kualifikime dhe vlerësime të kolegëve nga Bullgaria, përfshirë edhe deklaratën e fundit të Angell Dimitrovit, me arsyen e vetme se puna e Komisionit nuk duhet të shndërrohet në një ‘reality show’, sepse në atë mënyrë nuk ndërtohet besimi.”, - theksoi bashkëkryesuesi i Komisionit Maqedono-Bullgar, Vanço Georgiev.
Përndryshe, Komisioni së fundmi e mbajti mbledhjen e tij të 38-të të rregullt në Shkup. Në mbledhje u dorëzuan tekstet e reja shkollore për Historinë dhe Shoqërinë për klasën e pestë dhe të gjashtë, ndërsa diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë në mbledhjen e ardhshme, e cila është caktuar për gjysmën e parë të dhjetorit në Sofje.
ERSAN PAJAZITI
