Maqedoni

Transporti, po ndërtohen autostrada dhe hekurudha

12.11.2025 15:30

Deri në fund të këtij viti do të hapen edhe 18 kilometra të autostradës Kërçovë-Ohër...

Deri në fund të këtij viti do të hapen edhe 18 kilometra të autostradës Kërçovë-Ohër, dhe pikërisht në këtë aks rrugor po punohet me një intensitet të lartë, porositi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, në panel-diskutimin kushtuar korridorit E-75. Sipas tij, projektet e kësaj qeverie janë shumë ambicioze dhe po punohet edhe në ndërtimin e akseve tjera rrugore, por edhe në ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore nga Shkupi deri në Selanik. Ministri Nikollovski, po ashtu u fokusua në aktivitetet ndërtimore të autostradës anësore pranë Kriva Pallankës, e cila çon në Bullgarinë fqinje, e rëndësishme për Korridorin 8.
 
“Po punojmë në qarkoren në Kriva Pallankë, që është pjesa e fundit e lidhjes me Bullgarinë. Punojmë në rikonstruimin e vendkalimit kufitar Deve Bair, ku intensivisht punohet në fazën e parë, do të ketë edhe fazë të dytë. Shpresojmë se këtë aktivitet që e kemi ndaj Bullgarisë fqinje, do të ndiqet nga një aktivitet i ngjashëm nga ana e tyre. Në këtë moment po punohet në zgjidhje për pjesën nga Ramanlia, që është dalja nga Kumanova deri në Straçincë. Nga Kumanova për në Shkup tashmë kemi autostradë, më tej në rrugën anësore të Shkupit, e cila për fat të keq nuk është në gjendje të mirë. Po planifikojmë edhe një rindërtim atje së shpejti dhe në pjesën perëndimore të Korridorit 8 po punohet intensivisht për një zgjidhje autostrade nga Tetova deri në Gostivar, prej Gostivari në Bukojçan ose Strazha e popullarizuar, ku 17 kilometrat e parë tani janë depërtuar.”, - deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski. 
 
Nikollovski u koncentrua në autostradat Ohër – Kërçovë, Kërçovë - Bukojçan, Bukojçan – Gostivar, Gostivar – Tetovë dhe autostradën Prilep – Manastir. Ai shtoi se po punohet edhe në kryqëzimin e dy autostradave nga Bukojçani për në Kërçovë, e për këtë pjesë të autostradës tashmë ka oferta nga kompanitë ndërtimore, të cilat janë në fazën e vlerësimit.
 
“Do të punojmë në këtë projekt së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shpresoj që deri në janar do të zgjedhim një kontraktor dhe varësisht nga kushtet e motit në mars-prill, kontraktori do të vihet në funksion dhe mbetet pjesa që shkon nga Kërçova për në Ohër. Tridhjetë e shtatë kilometrat e para kanë përfunduar, nga të cilët 34 janë në funksion. Pres që kilometra të rinj të vihen në funksion në gjysmën e parë të dhjetorit, do t’ju ftojmë të gjithëve dhe deri në fund të vitit të ardhshëm, siç thash, të përfundojmë tërë autostradën.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski.
 
Ministri i Transportit informoi edhe se procesi i vlerësimit, respektivisht zgjedhja e një kontraktori, është duke u zhvilluar edhe për autostradën që duhet të shkojë nga Shkupi për në Bllacë, e cila do të na lidh me Kosovën. Me të gjitha këto aktivitete Korridorin 8 po e përfundojmë, ndërsa nga ana tjetër, i lidhur me Korridorin 10 ose E-75, është edhe Korridori 10D, i cili nga Shkupi-Velesi-Gradsko-Prilepi-Manastiri zbret në Follorinë dhe përfundon në Athinë. 
 
FITIM KRYEZIU