Maqedoni

Rasti për tragjedinë në Koçan, gjykimi do të fillojë të mërkurën e ardhshme

12.11.2025 17:12

Gjykimi për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan...

Gjykimi për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, do të fillojë më 19 nëntor. Çështja do të përfaqësohet nga 15 prokurorë. Në sallën e madhe të gjykatës në Institucionin Korrektues “Idrizovë” u zhvillua një inspektim i përgjithshëm për të garantuar kushtet e duhura para fillimit të seancës kryesore.
 
Kryetarja e Gjykatës Penale, Daniela Dimovska, u zotua se Gjykata do të sigurojë të gjitha kushtet për procedurë të drejtë dhe transparente, me apel drejtuar publikut për respekt dhe dinjitet ndaj të gjitha palëve, veçanërisht ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. 
 
“Apeloj deri tek Gjykata, deri tek Oda e Avokatëve dhe deri tek mediat, që të sillemi në mënyrë sa më të denjë dhe të kujdesshme ndaj të gjithë viktimave dhe të gjithë pjesëmarrësit e këtij rasti të ndjeshëm. Mos të lejojmë të thyhet parimi i paanshmërisë, qasjes fer dhe real të gjykimit. Mos të ndikohemi në presionin e përditshmërisë, sepse gjyqi e ka një detyrë të rëndë dhe duhet të përgjigjet për të.”, - deklaroi ushtruesja e detyrës së kryetares së Gjykatës Penale, Daniela Dimovska.
 
Prokurori publik i shtetit, Ljupço Kocevski, tha se gjithsej 15 prokurorë do ta trajtojnë rastin dhe se nuk do të ketë shtyrje të seancave nga ana e tyre.
 
“Prokuroria Publike do të ndërmarrë gjithçka në kuadër të përgjegjësisë së saj dhe nuk do të lejojmë që asnjë seancë të shtyhet për faj të gjykatës, prandaj vendosëm që të bëjmë zgjerimin e ekipit gjykues. Kjo nuk do të thotë se të gjithë do të jenë vazhdimisht në seanca. Do të jenë të pranishëm në seancën e parë, varësisht prej dinamikës së punës, do të jenë të caktuar se në cilat seanca do të marrin pjesë.”, - theksoi prokurori publik i shtetit, Ljupço Kocevski.
 
Edhe nga Oda e Avokatëve apeluan për disiplinë dhe profesionizëm ndaj këtij rasti. Gjykata do të hetojë edhe pushimet mjekësore që do të jepen nga mjekët për personat që duhet të marrin pjesë në seancat gjyqësore. Ndërkohë, prindërit e fëmijëve që vdiqën në zjarrin e diskotekës "Puls" në Koçan, kanë paralajmëruar marsh proteste për të shtunën në Shkup.
 
FITORE DEMOLLI