Botë

Samiti i parë ndërqeveritar Itali – Shqipëri, Rama: Ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare

13.11.2025 12:36

Në Romë sot mbahet samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri...

Në Romë sot mbahet samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, qëllimi i të cilit është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh. Samiti do të nisë punimet me një takim dypalësh midis kryeministres Xhorxhia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama, i ndjekur nga një seancë pune plenare me delegacionet përkatëse qeveritare.
 
Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, si një ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi do të konkludohen sot në Romë, në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me Italinë.
 
Gjatë takimit, sipas mediave italiane pritet që Rama dhe Meloni të trajtojnë edhe prioritetet kryesore në agjendën evropiane dhe ndërkombëtare, duke filluar me luftën në Ukrainë. Vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe mbështetjes së Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
 
Mbledhja e përbashkët e dy kabineteve dërgon një mesazh të qartë të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, duke e kthyer atë në një agjendë të gjerë dhe të strukturuar bashkëpunimi.