Maqedoni

Ajhan Sulkoski nga VLEN zgjidhet kryetar i Këshillit të Kërçovës

13.11.2025 13:30

Pas verifikimit të mandateve dhe deklaratës solemne, Këshilli i Komunës së Kërçovës...

Pas verifikimit të mandateve dhe deklaratës solemne, Këshilli i Komunës së Kërçovës, me shumicë votash, për kryetar të Këshillit zgjodhi këshilltarin Ajhan Sulkoski, i cili vjen nga radhët e koalicionit VLEN.
 
Në fjalën e tij, para këshilltarëve, ai potencoi se do të jetë në funksion të bashkëpunimit dhe transparencës për një jetë më të mirë të qytetarëve.
 
Pas përfundimit të mbledhjes, këshilltari i AKI-së, Shefki Imeti, drejtoi kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, i cili, siç u shpreh ai, u bashkua me VMRO-në, e jo me këshilltarët shqiptarë që e kanë shumicën e përbërjes së re të Këshillit.
 
Ndërkaq këshilltari i listës së pavarur, Kujtim Kasami, potencoi se këshilltarët e listës së pavarur do të jenë zëri i qytetarëve dhe do të mbështesin projektet që ofrojnë perspektivë për qytetarët e Kërçovës.
 
Këshilli Komunal i Kërçovës numëron 19 anëtarë, prej të cilëve, 8 janë të VMRO-së, 5 të koalicionit AKI, 3 të koalicionit VLEN, 2 nga lista e pavarur dhe 1 i LSDM-së.
 
SHABAN DALIPI