Botë

Bislimi: Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën

13.11.2025 14:06

Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës...

Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës, bën të ditur zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi.
 
Ai për këtë e ka njoftuar edhe përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sørensen.  Bislimi në një postim në Facebook, ka theksuar se Serbia tre herë radhazi ka bllokuar mjetet e dërguara nga Kosova dhe i ka refuzuar ato pa asnjë bazë ligjore. 
 
“3.650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304.511 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.”, ka shkruar Bislimi. 
 
Ai njëherë thekson se e njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht.
 
Bislimi po ashtu ka njoftuar se Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dhe dokumentacionin. 
 
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrative përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.”, theksoi Bislimi.
 
Zyrtarët në Bruksel së fundmi janë shprehur se janë në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për ta ftuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi. 
 
GYLTENE SINANI