Botë
Trampi nënshkroi Ligjin për Financim: ShBA, përfundoi bllokada më e gjatë në histori
13.11.2025 14:24
Pas 43 ditësh polemikash dhe mospajtimesh në Kongres...

Pas 43 ditësh polemikash dhe mospajtimesh në Kongres, përfundoi bllokada më e gjatë e qeverisë në historinë e ShBA-së. Qindra mijëra punonjës federalë do të marrin pagat e tyre dhe me këtë pritet normalizimi i shërbimeve publike dhe trafikut ajror, si dhe anulimi i shkarkimeve federale të nisura nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Tramp nënshkroi Ligjin për Financim, që siguron financim të përkohshëm deri më 30 janar 2026, afat brenda të cilit Kongresi duhet të miratojë buxhetin e rregullt.
“Vetëm dua t’ju them se vendi ynë nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë. Kaluan këtë katastrofë të shkurtër me demokratët, sepse mendonin se do t’u sillte përfitime politike. Tani është nder të nënshkruaj këtë ligj të jashtëzakonshëm dhe ta kthejmë përsëri vendin në funksion.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Për javë të tëra, republikanët e Trampit dhe demokratët e opozitës zhvilluan debate të ashpra për buxhetin. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Majk Xhonson, akuzoi demokratët se “e kanë përdorur popullin amerikan si peng në lojën e tyre politike.”
“Do ta përqendrojmë vëmendjen tonë tek kujdesi shëndetësor dhe çështje të tjera thelbësore. Jemi gati të punojmë me këdo që dëshiron të ulë kostot e shëndetësisë. Ka arsye pse demokratët janë në kaos, nuk kanë lider të qartë, nuk kanë platformë e as parime për t’u mbrojtur.”, - theksoi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve –republikani, Majk Xhonson.
Ndërkohë, demokratët theksuan se bllokimi nuk solli asnjë zgjidhje për vazhdimin e subvencioneve federale për sigurimin shëndetësor.
“Republikanët janë përpjekur të shfuqizojnë Ligjin për Kujdes të Përballueshëm mbi 70 herë gjatë 15 viteve të fundit. Nuk ka asnjë provë që janë seriozë për vazhdimin e kredive tatimore që ndihmojnë miliona familje. Lideri Shu-Mer ofroi një propozim të arsyeshëm, zgjatje njëvjeçare të kredive tatimore dhe krijimin e një komisioni dypartiak për të rregulluar sistemin jofunksional të kujdesit shëndetësor.”, - u shpreh lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakim Xhef-Ris.
Aktualisht, republikanët dhe demokratët kanë vetëm katër javë pune deri në fund të vitit, kur skadojnë kreditë tatimore të reformës shëndetësore “Obamacare”. Presidenti Tramp bëri thirrje për rishikimin e ligjit, në vend të vazhdimit të subvencioneve ekzistuese.
FARIJE DAUTI BAKIU
