Paga minimale, Durmishi: Rritje në mars të vitit 2026

13.11.2025 14:53

Paga minimale do të rritet në mars...

Paga minimale do të rritet në mars për rreth 2 mijë denarë, por jo para këtij afati, siç kërkojnë sindikatat rritje të minimales në 500 euro.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, tha se analizat e bëra nuk japin arsye të mjaftueshme të rritjes së rrogës para afatit të rregullt të marsit.

“Në kushtet aktuale ekonomike kur inflacioni në muajin tetor shënon ulje për 0.2%, indeksi i çmimeve është ulur në krahasim me muajin shtator për 1.3%, ndërkaq inflacioni në nivel vjetor është 4.49%, nuk ekziston bazë për rritje intervente të pagës minimale. Në këto rrethana nëse shkojmë në rritje ad hog të pagës minimale, kjo do të shkaktojë rritjen e inflacionit.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Zhvillimi ekonomik, nga 1 janari subvencionimi i bizneseve

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë nga janari i vitit 2026 nis subvencionimin e sektorit të biznesit, që do të ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, produktivitet më të madh në ekonomi dhe paga më të larta.

“Qëllimi ynë është që përmes masave të reja të nxisim investimet në vlerë më të madhe të shtuar, të cilat do të zhvillojnë industrinë e prodhimit dhe do të përfshijnë inovacione të reja. Ligji përcakton saktësisht subjektet që mund të përdorin mbështetje financiare. Këto janë kompanitë që realizojnë investim fillestar në shumën jo më pak se 100 mijë euro edhe atë në kuadër të industrisë përpunuese si nxitës i sektorit real, të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të zotërojnë të paktën 51% të pronësisë së subjektit afarist.”,  - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Sipas Durmishit, për këto subvencione nuk mund të aplikojnë subjektet me veprimtari në bujqësi, pylltari, peshkim dhe aktivitete ndërtimore, shitjen e banesave dhe ndërtesave afariste, pasi këto veprimtari nuk janë pjesë e industrisë përpunuese. (Meral Ismaili, TVM2)