Policia Financiare, padi penale për Blerim Bexhetin dhe 7 të tjerë
Drejtoria e Policisë Financiare....

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur padi penale për krim ndërtimor ndaj tetë personave fizikë, ish-funksionarë dhe nëpunës në Komunën e Sarajit dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe ndaj një inxhinieri mbikëqyrës.
Në mesin e personave të dyshuar është edhe ish-kryetari i Komunës së Sarajit dhe deputeti aktual, Blerim Bexheti. Ata dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimin zyrtar, kanë punuar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe kanë falsifikuar ose shkatërruar libra afariste.
Të dyshuarit, kompanisë nga fshati Gllumovë në Saraj i kanë mundësuar të përfitojë pasuri të kundërligjshme në shumën rreth 1.8 milionë euro.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e raportuar, të punësuar në Komunën e Sarajit, megjithëse ishin të vetëdijshëm se për parcelën kadastrale KP 10405/6 KO Saraj nuk ekziston plan urbanistik i detajuar, i miratuar, duke e tejkaluar autorizimin e tyre zyrtar, kanë përgatitur dhe aprovuar ekstrakt nga plani dhe leje ndërtimi me përmbajtje të pavërtetë, si dhe llogaritje për kompensim të rregullimit të tokës ndërtimore, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ndërsa inxhinieri mbikëqyrës ka kryer kontroll teknik të objektit dhe ka përgatitur raport përfundimtar me përmbajtje të pavërtetë.", thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Ndërkohë, nga Prokuroria Themelore Publike - Shkup informojnë se padia penale nga Policia Financiare është pranuar dhe se tashmë po ndërmerren veprime për verifikimin e pretendimeve.
Kryeministri Hristijan Mickoski, me këtë rast ka deklaruar se si imperativ e kanë drejtësinë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ish-funksionarë apo aktualë.
“Ne që nga fillimi thamë se gjithkund ku ekzistojnë dyshime të bazuara do të veprojmë. Ne nuk do të bëjmë estradë, nuk do të hymë nëpër shtëpi me njësi speciale. Thjesht drejtësia duhet të jetë imperativ dhe kështu po sillemi dhe do të sillemi pa marrë parasysh nëse ai që ka bërë padrejtësi është ish-funksionar, funksionar aktual, etj.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Me këtë rast ka reaguar edhe ish-kryetari i dyshuar, në këtë rast Blerim Bexheti. Ai ka theksuar se ka kaluar edhe presione më të mëdha politike dhe se asnjëherë nuk do të tërhiqet. Kallëzimet e porositura nuk më ndikojnë, është shprehur Bexheti në rrjetin social Facebook.
"Mos mendoni se me këto “operacione”, konstruksione politike, kallëzime të fabrikuara apo tentativa për shantazh mund të më ktheni pas, të më trembni apo të më detyroni të devijoj nga qëndrimet e mia politike. Kjo qeveri, e udhëhequr nga struktura antishqiptare dhe vazale, gabon rëndë nëse mendon se mund të heshtë zërin tim dhe të më frikësojë.", ka shkruar Bexheti. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
