Zgjedhjet e përsëritura në katër komuna, Snopçe: Të caktohen zgjedhjet para Vitit të Ri

13.11.2025 15:23

Përse KShZ-ja nuk shpalli përfundimin e zgjedhjeve...

Përse KShZ-ja nuk shpalli përfundimin e zgjedhjeve në katër komunat ku nuk u arrit censusi, menjëherë pas rrethit të parë zgjedhor, por priti deri në përfundim të të gjithë procesit?! Këtë dilemë e ka ngritur deputeti i ASh-së,  Halil Snopçe, i cili theksoi se kjo mund të ketë qenë e qëllimshme dhe e koordinuar me Qeverinë.

Snopçe i bëri apel kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, që të tregojë pavarësi dhe të caktojë zgjedhjet para Vitit të Ri, për të mundësuar pjesëmarrjen e mërgatës.

Ai theksoi se ligji përcakton vetëm afatin maksimal prej 60 ditësh, por jo ndonjë afat minimal.

“A ishte ky vonim i qëllimshëm për të shmangur periudhën kur mërgimtarët ndodhen në vendlindje? Me këtë afat, zgjedhjet e përsëritura pritet të mbahen më 11 janar, kur shumica e tyre tashmë janë kthyer jashtë vendit. Zotëri Gashi, tregoni madhështi dhe caktoni zgjedhjet para Vitit të Ri. Mos t’i zhgënjejmë më mërgimtarët.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

Një tjetër dilemë, sipas tij, lidhet me të drejtën e partive për të ndryshuar kandidatët në zgjedhjet e përsëritura.

“Nëse ndryshojnë kandidatët, ku qëndron logjika që për kandidatët e rinj të mos ketë census. Këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhje të reja, por për përsëritjen e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, do të kishim kandidat të rinj eventual, të privilegjuar dhe të tjerët të diskriminuar që garuan me census. Prandaj, mendojmë që duhet të përsëritet raundi i parë me të njejtët kandidatë, vetëm kjo ka logjikë, sepse ligji thotë se përsëritja e zgjedhjeve mbahet brenda 60 ditëve.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka publikuar zyrtarisht rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale. Me këtë vendim, fillon afati 60-ditor për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Zhupë me datën më të vonshme të mundshme, më 11 janar. (Ersan Pajaziti, TVM2)