Mbledhja e parë ndërqeveritare Itali – Shqipëri, u nënshkruan 16 marrëveshje

13.11.2025 17:20

Kryeministri Edi Rama u prit me një ceremoni zyrtare...

Kryeministri Edi Rama u prit me një ceremoni zyrtare nga homologia e tij italiane, Xhorxhia Meloni, në Romë, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive.

Kjo është mbledhja e parë mes dy shteteve dhe e para e Qeverisë italiane me një vend jashtë Bashkimit Evropian.

Fillimisht dy kryeministrat kanë zhvilluar një takim kokë më kokë dhe më pas mbledhjen e përbashkët.  Janë nënshkruar 16 marrëveshje që nga siguria kibernetike, mbrojtja civile me disa marrëveshje për grante dhe hua të buta që do të shkojnë për pajisje dhe trajnim.

Marrëveshje në fushën e shëndetësisë, me projekte për përmirësimin e kujdesit neonatal dhe maternal, si dhe në kuadër të mbrojtjes, bashkëpunimit ushtarak, si dhe luftës kundër trafikut të drogës.

Po ashtu, kryeministri Rama dhe homologia e tij, Xhorxhia Meloni, firmosën marrëveshjen mbi bashkëpunimin strategjik në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrisë së sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimit të migracionit, arsimit, inovacionit, diasporës dhe transformimit ekonomik. (Luljeta Ndoka, TVM2)