Pas armëpushimit në Gazë, Izraeli shënjestron Bregun Perëndimor

13.11.2025 17:52

Ushtria izraelite arrestoi 40 palestinezë...

Ushtria izraelite arrestoi 40 palestinezë në qytetin El-Khalil (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar. Dëshmitarët njoftuan se ushtarët izraelitë bastisën dhe kontrolluan dhjetëra shtëpi në qytezën Dura, në jug të El-Khalilit dhe arrestuan palestinezë, kryesisht të rinj që ndodheshin në rrugë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, lidhur me ngjarjet e dhunshme në Bregun Perëndimor, tha se ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

“Nuk i kam të gjitha detajet për atë që ka ndodhur saktësisht, por ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Sigurisht që ka disa shqetësime se ngjarjet në Bregun Perëndimor mund të përhapen dhe të krijojnë një efekt që mund të minojë atë që po përpiqemi të bëjmë në Gazë. Nuk presim që kjo të ndodhë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që nuk do të ndodhë.”, - deklaroi sekretari i shtetit – ShBA, Marko Rubio.

Rubio foli edhe për Rripin e Gazës dhe u shpreh se asnjë pjesë e këtij territori nuk duhet të jetë nën kontrollin e Hamasit dhe se duhet të ketë një organizatë civile palestineze që e administrojë qytetin. Nga ana tjetër është mbajtur një takim në Ankara me përfaqësuesit e Egjiptit dhe Turqisë, ku është folur për armëpushimin në Gazë dhe çështjen palestineze në përgjithësi.

“Vlerësuam gjerësisht situatën e fundit në Gazë. Hamasi ka treguar gatishmëri për të ndërmarrë hapa konstruktivë për ruajtjen e armëpushimit. Të njëjtin qëndrim duhet ta mbajë edhe Izraeli. Ne përsërisim thirrjen tonë që Izraeli të heqë të gjitha pengesat ndaj ndihmës humanitare dhe të hapë të gjitha pikat kufitare.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.

“Ne theksuam rëndësinë e krijimit të një shteti palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet, si dhe rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta të Egjiptit dhe Turqisë në këtë drejtim.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badër Abdelati.

Pas luftës gjenocidale të Izraelit kundër Rripit të Gazës, veçanërisht pas 8 tetorit 2023, bastisjet, ndalimet dhe shembjet kundër palestinezëve të shoqëruara me dhunë, vazhdojnë pandërprerë në shumë qytete dhe qyteza të pushtuara në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)