Botë
Sali Berisha i shmanget SPAK-ut, SPAK-u mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm
14.11.2025 13:45
I thirrur për të dëshmuar në SPAK këtë të premte, Sali Berisha u shmang...

I thirrur për të dëshmuar në SPAK këtë të premte, Sali Berisha u shmang, duke deklaruar se nuk kishte marrë fletëthirrje. Në të vërtetë, SPAK-u ka bërë me dije se ia ka nisur fletëthirrjen më 7 nëntor në tre adresa: në shtëpinë e tij, në Kuvend dhe në selinë e PD-së.
Burime pranë Kuvendit thanë se ky dokument i është përcjellë zyrës së grupit parlamentar të PD-së, por deputetët e Berishës e kanë refuzuar dhe fletëthirrja është kthyer pas në protokoll.
Gjithashtu, Kuvendi ka njoftuar me e-mail grupin e PD-së për mbërritjen e kësaj shkrese dhe më pas ka njoftuar edhe SPAK-un se kjo fletëthirrje nuk është tërhequr. Në një komunikim për mediat, Berisha i quajti mashtruese institucionet që pohojnë se fletëthirrja është tentuar t’i dorëzohet.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse një person që ka dijeni për një krim refuzon t’i përgjigjet thirrjes nga ana e organit të akuzës edhe një herë tjetër, atëherë SPAK-u ka detyrimin të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të Sali Berishës, që të japë llogari për vrasjet në bulevard nga armët e shtetit, para zyrës së qeverisë që ai drejtonte.
Thirrja e Berishës në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, bëhet vetëm pak ditë pasi në Prokurori u pyet ish-ministri i tij i Brendshëm më 21 janari 2011, Lulzim Basha.
LULJETA NDOKA
