Maqedoni
FSSh shënon 25-vjetorin, 1.840.000 persona, shfrytëzues të sigurimit
14.11.2025 14:21
Buxheti vjetor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor peshon 53 miliardë denarë...

Buxheti vjetor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor peshon 53 miliardë denarë, ndërsa pagesa e sigurimit shëndetësor është vetëm 3 mijë denarë në muaj. Në FSSh-në ka gjithsej 1.840.000 persona të siguruar, prej të cilëve 1.200.000 janë bartës të sigurimit shëndetësor.
Këto janë disa prej sukseseve dhe rezultateve të prezantuara gjatë shënimit të 25-vjetorit të themelimit të këtij fondit. Drejtori i FSSh-së, Sasho Kllekovski, gjatë prezantimit të tij vlerësoi se këto rezultate tregojnë se investimi i deritanishëm në këtë fond është i mjaftueshëm dhe është në nivelin e duhur me vendet me të ardhura mesatare.
Duke u bazuar në të dhënat statistikore, ai detajisht i sqaroi shërbimet që ofron ky fond për siguruesit, por edhe për punonjësit e shëndetësisë. Tregoi sa ilaçe janë në listën pozitive dhe sa njerëz trajtohen jashtë vendit. Ky sistem ofron rezultate, tha Kllekovski, duke pranuar se ka edhe mangësitë e veta, të cilët duhet të mënjanohen në të ardhmen.
“Fondi i Sigurimit Shëndetësor në thelb duhet të jetë blerës i shërbimeve, megjithatë për momentin ai nuk është as peshk e as grua, respektivisht nuk është as blerës i shërbimeve, e as nuk është kontrollues i financave në shëndetësi. Derisa nuk merret vendimi strategjik sa i përket asaj se a do të jemi tek njëra apo tek tjetra anë, mendoj se fondi duhet të kujdeset për të dyja anët, respektivisht për kontroll më të madh të shërbimeve dhe njëherësh kontrolle intensive të financave.”, - theksoi drejtori i FSSh-së, Sasho Kllekovski.
Qeveria e përkushtuar ndaj shëndetësisë publike
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar ndaj Fondit dhe shëndetësisë publike, duke punuar, siç tha ai, që nga dita e parë për modernizimin e shëndetësisë, përmirësimin e shërbimeve në përgjithësi.
Përveç kësaj, një ndër prioritetet e kësaj qeverie, shtoi Mickoski, është edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Po punohet në çrrënjosjen e kësaj dukurie negative, tha ai.
“Fondi i Sigurimit Shëndetësor krahasuar me periudhën e kaluar, ngadalë, por sigurt e kthen integritetin e tij, ndërsa mënyra e vetëm për ta rikthyer tërësisht është lufta pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, me punë, disiplinë dhe me përgjegjësi të qartë. Andaj shfrytëzoj këtë rast për ta uruar drejtorin se në këtë drejtim po kryen një punë të shkëlqyer.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Përndryshe Fondi i Sigurimit Shëndetësor është themeluar më 17 nëntor të vitit 2000. Gjatë shënimit të 25-vjetorit të funksionimit të këtij Fondit u prezantuan edhe video materiale të zhvillimit të tij shumëvjeçar.
REXHEP QAMILI
