Maqedoni
Përplasje e hapur mes Mickoskit dhe Gjyqësisë, komentet prishin barazinë e tre pushteteve
14.11.2025 14:39
Qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski drejtuar gjyqësorit...

Qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski drejtuar gjyqësorit se nuk do të realizojë reforma që parashohin vetëm rritje të pagave, nuk mbetën pa marrë përgjigje nga pushteti i tretë.
Në përgjigjen e tyre drejtuar kryeministrit, Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme dhe Shoqata e Gjykatësve, adresojnë vërejtjet se këto komente të kryeministrit prishin parimin e demokracisë për barazinë e të tria pushteteve, pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, duke kujtuar se pushteti gjyqësor është kategori kushtetuese dhe se pavarësia e pushtetit të tij duhet të respektohet.
Sipas tyre, kryeministri me komentet e tij për gjyqtarët dhe gjyqësorin e ka kaluar kufirin e sjelljes së mirë dhe ka kaluar në sulme të paargumentuara dhe të përgjithshme.
"Prej kohësh komentet tuaja që i jepni për gjyqtarët dhe gjyqësorin e kanë kaluar kufirin e sjelljes së mirë dhe janë shndërruar në sulme të paargumentuara dhe të përgjithshme. Kritika është e mirë vetëm kur jepen vërejtje konkrete dhe propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve. Kritika e paargumentuar tregon se nuk ka qëllim për të ndërmarrë masa për përmirësimin e gjendjes, por që tërë apatia shoqërore të hidhet si faj mbi gjyqtarët.", thuhet në njoftim.
Në këtë drejtim gjyqtarët theksojnë raportin e fundit të Komisionit Evropian, në të cilin, siç thonë, qartë është theksuar se problemi më i madh në gjyqësor është pavarësia e gjyqtarëve, e cila është e cenuar nga ndërhyrjet e vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
"Raporti i fundit i KE-së thekson qartë se problemi më i madh në gjyqësor është pavarësia e gjyqtarëve, e cila dëmtohet nga ndërhyrjet e vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Si problem kyç është theksuar edhe varësia financiare e gjyqësorit nga buxheti shtetëror, dhe në këtë kuptim pagat e gjyqtarëve janë vetëm një segment i pavarësisë financiare. Këto janë probleme që shteti duhet t’i rregullojë, sepse janë thelbësore për perspektivën evropiane të vendit.", thuhet në deklaratën e përbashkët.
Meqë kryeministri Mickoski i lidhi reformat me kthimin e borxheve shtetërore prej dy miliardë eurosh, sistemi gjyqësor, siç theksohet në njoftim, kurrë nuk ka gjeneruar borxhe, por se pikërisht gjykatat, përmes pagesës së tarifave dhe gjobave, prej vitesh e mbushin arkën shtetërore, ndërsa në këmbim nuk marrin asnjë kthim nga buxheti.
FLORIJE KAMBERI
