Botë
Bedri Hamza shpalli kandidaturën për kryetar të PDK-së
14.11.2025 15:16
Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën për kryetar të PDK-së...

Kryetari i ri i kësaj partie do të zgjidhet në konventën e jashtëzakonshme partiake, të thirrur për të hënën më 17 nëntor, pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm, Memli Krasniqi.
Hamza, i cili ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet e kaluara parlamentare, thotë se kandidaturën e tij e shpall pasi beson në të ardhmen e kësaj partie.
“Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend. Nga lufta për liri, deri te shtet-ndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja.”, thekson Hamza.
Enver Hoxhaj: Konventa e PDK-së duhet të shtyhet
Dorëheqja e Krasniqit dhe mundësia që Bedri Hamza të zgjidhet kryetar i PDK-së është përshëndetur nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Por, ish kryetari i kësaj partie, njëherësh edhe deputet aktual, Enver Hoxhaj, kërkon shtyrjen e konventës partiake, me qëllim që t’u jepet hapësirë në garë të futen më shumë kandidatë.
“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin.”, thekson Hoxhaj.
Vlora Çitaku: Sipas statutit, konventa thirret brenda 5 ditësh
Por, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Konventa e Jashtëzakonshme është thirrur në bazë të statutit partiak, sipas të cilit konventa duhet të mbahet brenda pesë ditësh.
“Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore.”, ka vlerësuar Çitaku.
GYLTENE SINANI
