Sulme ruse në Kiev, katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur
Të paktën katër persona u vranë...

Të paktën katër persona u vranë dhe rreth 30 të tjerë u plagosën në sulmet ruse në të gjithë Kievin, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.
Ekipet e shpëtimit evakuuan rreth 70 persona, ndërsa besohet se ka ende njerëz të bllokuar nën rrënoja.
U goditën 22 zona në qytet duke përfshirë ndërtesa banimi, një spital, një mision diplomatik, dyqane dhe zyra. Mbrojtja ajrore u aktivizua disa herë pasi u lëshua një alarm ajror në të gjithë Ukrainën.
“Isha duke fjetur këtu, pastaj kuptova se duhej të ngrihesha sepse ra alarmi. U ngrita nga shtrati, u vesha, dola jashtë, pastaj ndodhi shpërthimi.”, - tha një dëshmitar.
“Unë nuk dëgjova asgjë, vetëm e pashë që flokët më kanë marrë flakë. U ktheva dhe pashë që kishe rënë muri në banesën fqinje. Fqinjët bërtisnin, ndërsa zjarri vinte nga dera e hyrjes. E mora qenin tim dhe zbritëm nga ndërtesa.”, - tha një dëshmitar tjetër.
Ukraina është kundërpërgjigjur duke sulmuar me dronë qytetin rus Novo-Rosiskë. Autoritetet ukrainase paralajmëruan për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike dhe ujit në zonat e sulmuara nga Rusia.
“Sulmet me dronë kanë dëmtuar disa ndërtesa dhe shtëpi banimi. Policia dhe ekipi hetimor morën deklarata prej njerëzve, kontrollojnë apartamentet dhe janë duke evidentuar dëmet materiale.”, - u shpreh një pjesëtare e policisë.
Sulmi vjen pas paralajmërimit të fortë nga Bashkimi Evropian këtë javë se “Ukraina duhet të intensifikojë luftën kundër korrupsionit”, pas një skandali të madh ryshfeti që shokoi vendin dhe nxori në pah zyrtarët më të lartë të sektorit të energjisë bërthamore. Megjithatë, Brukseli garantoi se ndihma ndërkombëtare do të vazhdojë të arrijë, ndërkohë që Kievi lufton për të mbrojtur vendin nga pushtimi rus. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
