Kuvendi shqyrton propozim-buxhetin për vitin 2026, arka e shtetit do të peshojë rreth 375 mld den

14.11.2025 16:20

Debati për buxhetin e vitit 2026...

Debati për buxhetin e vitit 2026, në komisionin amë në Kuvend. Mbi 100 amendamente do të zënë vend në diskutim për të hyrat dhe të dalat e vitit të ardhshëm.

Buxheti i planifikuar parasheh 374.7 miliardë denarë të ardhura dhe 413.9 miliardë denarë shpenzime. Rritja ekonomike parashihet të arrijë në 3.8%, inflacioni në 2.5%, ndërsa deficiti buxhetor në 3.5.

Parashihen paga më të larta, pensione dhe stabilitet më i madh social, investime në infrastrukturë, digjitalizim, në korridorin 8 dhe 10 dhe zhvillim ekonomik në fusha të tjera, tha ministrja e Financave, Koçovska. 

Premton se autoritetet do të kujdesen që financat publike të shfrytëzohen racionalisht dhe me disiplinë, në mënyrë që mjetet buxhetore të shpenzohen me përgjegjësi.

“Shpenzimet aktuale janë 373.9 miliardë denarë dhe me këto sigurojmë pagesa të rregullta të pagave në sektorin publik, pensione, transfere sociale, subvencione, përkrahje të ekonomisë dhe aktivitete inovative. Në suaza të shpenzimeve aktuale, pagesa e pagave është projektuar në 52.6 miliardë denarë që është diku për 3 miliardë denarë më shumë se në vitin 2025. Në mjetet janë përfshirë të gjitha të drejtat, marrëveshjet kolektive të nënshkruara, si dhe punësimet e reja.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Koçovska.

Nga Këshilli Fiskal kërkojnë që të ketë harmonizim të buxhetit me strategjinë fiskale. Të ndiqet edhe konsolidimi fiskal me të hyrat, shpenzimet dhe borxhin publik real, tha drejtuesi i Këshillit, Abdylmenaf Bexheti.

“Deficiti buxhetor është projektuar në 3.5%, ndërsa, siç tha ministrja, ne e kemi projektuar në 3.5, por  rregulla fiskale e kërkon 3%. Po, kjo është reale që shkallë-shkallë të bëhet harmonizimi me rregullën fiskale, por duhet të qartësohet realiteti i llogarisë. Sa i përket borxhit publik, kjo  është e saktë, por duhet të theksojmë se sipas ligjeve tona, nuk janë në harmonizim të plotë me konceptin e borxhit publik që evidentohet në pajtueshmërinë e statistikës fiskale të BE-së, ku sipas asaj evidence, duhet të përfshihen detyrimet e sistemit SPO, që tek ne janë rreth 700 milionë euro, obligime që ende janë të papaguara.”, - theksoi kryetari i Këshillit Fiskal, Abdylmenaf Bexheti.

Kryeprokurori Publik në debatin për projektin e ri për buxhetin e vitit të ardhshëm, me kërkesat e vjetshme.

Situata është alarmante në Prokurori, thotë ai. Në vend të minimumit të paraparë me ligj prej 0.4 nga buxheti i përgjithshëm është propozuar 0.2% për këtë organ.

“Kërkesat tona që i theksojmë çdo vit, para disa ditëve i vërtetoi edhe BE-ja në raportin për luftën kundër krimit dhe korrupsionit që kërkon resorë dhe pavarësi financiare të jurisprudencës dhe prokurorisë.”, - u shpreh kryeprokurori, Ljupço Kocevski.

Në debat u theksua që të mbahet llogari për përgatitjen e buxhetit dhe të jetë më inkluziv në kuptimin e konsultimit me shfrytëzuesit e buxhetit. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)