Armëpushimi në Gazë, Izraeli shënjestron Bregun Perëndimor
Përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor....

Përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor arrin nivele alarmante, me sulme të njëpasnjëshme të kolonëve izraelitë dhe operacione ushtarake të intensifikuara kundër palestinezëve.
Nga OKB-ja thonë se kjo valë dhune, e shoqëruar me prishje shtëpish, sekuestrim prone, arrestime, kufizime lëvizjeje, ndërtim ilegal të vendbanimeve dhe zhvendosje të detyruar të mijëra palestinezëve, përbën krim lufte.
“Pamjet e turmave të kolonëve izraelitë të maskuar që kryejnë sulme zjarrvënëse në Bregun Perëndimor këtë javë janë të neveritshme dhe pasqyrojnë një model edhe më të gjerë të dhunës në rritje kundër palestinezëve. Disa persona u plagosën gjatë sulmeve, të cilat përfshinë një bastisje në një fabrikë qumështi dhe djegien e kamionëve të shpërndarjes dhe të banesave. Zhvendosja e përhershme e popullsisë palestineze brenda territorit të pushtuar përbën transferim të paligjshëm, i cili është një krim lufte.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Thamen Al-Khetan.
Kolonët izraelitë nuk kane kursyer as objektet e kultit, duke djegur xhaminë Haxha Hamida dhe shkruar grafite raciste mbi muret e saj, ndërsa banorët arritën të ndalonin përhapjen e flakëve. Kryetari lokal tha se sulmi synonte “provokimin e myslimanëve”.
"Xhamia që u sulmua ndodhet midis fshatrave Dejr Istija dhe Kafr Haris. Ndodhet në mes të rrugës dhe është mjaft larg rrugës kryesore të përdorur nga izraelitët. Kolonët sulmuan xhaminë, duke i vënë flakën dhe duke shkruar grafite raciste në muret e saj. Sulmi synonte një simbol fetar për të provokuar myslimanët.”, - theksoi kryetari i Bashkisë së Deir Istija, Abdul Rahim Zeidan.
Një ditë më parë, ushtria izraelite arrestoi 40 palestinezë në qytetin El-Khalil (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar, kryesisht të rinj që ndodheshin në rrugë. Menjëherë pas armëpushimit në Gazë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, njoftoi se nuk do të heqë dorë nga vizioni i “Izraelit të madh”.
Pavarësisht armëpushimit në Gazë për shkak të presionit ndërkombëtar, ai paralajmëroi se forcat ushtarake do të përqendrohen në Bregun Perëndimor, duke shtrirë kontrollin dhe duke avancuar projekte aneksimi.
Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, dhe disa aktorë ndërkombëtarë u shprehën kundër aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor, duke kërkuar zgjidhje paqësore. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
