Maqedoni
BDI kritika ndaj Qeverisë: Raporti i KE-së për RMV-në tepër negativ
15.11.2025 14:24
BDI ka shprehur shqetësimin e sajë për, siç thuhet, vlerësimin tepër negative që KE i ka dhënë RMV-së në Raportin e fundit për vitin 2025...

BDI ka shprehur shqetësimin e sajë për, siç thuhet, vlerësimin tepër negative që Komisioni Evropian i ka dhënë Maqedonisë së Veriut në Raportin e fundit për vitin 2025. Sipas Arbër Ademit nga kjo parti ky raport është ndër më të dobëtit në 10 vitet e fundit për vendin. Kjo sipas BDI-së paraqet një pasqyrë të qartë të stagnimit institucional, mungesë të reformave dhe vullnetit politik për ta çuar vendin përpara në rrugën drejt BE-së.
“KE ka folur me një gjuhë të qartë dhe pa ekujvoke. Termat që përdoren në raport, pa progres, progres i kufizuar, nuk u morën masa dhe zbatimi mbetet i dobët, përbëjnë një diagnostifikim të rëndë të gjendjes së brendshme të shtetit. Këto nuk janë interpretime politike por vlerësime zyrtare nga vet BE. Mesazhi është i qartë, Maqedonia e Veriut po ngecë dhe po humb teren në raport me vendet e tjera të rajonit. Në qendër të problemit qëndron dështimi i Qeverisë për të përmbushur kushtet themelore të hapjes së negociatave, përfshirë klasterin e parë që lidhet me sundimin e ligjit dhe institucionet e drejtësisë. Përkundër viteve të tëra zotimesh procesi mbetet në vendnumro. Në vend që të ndërtohet moment përpara shohim mungesë totale të koordinimit, paaftësi menaxhuese dhe mungesë të vullnetit për reformat ë vërteta. Një ndër pikat më kritike që thekson raporti është dështimi për të realizuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht i qartë i vendosur nga Këshilli Evropian. Komisioni nënvizon se nuk është bërë asnjë përpjekje për miratimin e tyre.”, u shpreh Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.
I pyetur rreth tërheqjes së Krenar Llogës nga të gjitha funksionet në ASH dhe jeta politike që e bëri publike një ditë më parë, Ademi tha se kjo është çështje e brendshme e partisë që drejton Ziadin Sela dhe nuk i takon atij ta komentojë.
VLEN kritika ndaj AKI-së: Po shembet ndërtesa e ngritur me mashtrime
Ndërkohë nga koalicioni VLEN kanë deklaruar se zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë qartë se Aleanca Kombëtare për Integrim është në shpërbërje të plotë.
“Ajo që po ndodh sot në skenën politike shqiptare nuk është dorëheqje, është rrëzim. Është shembja e një ndërtese të ngritur me mashtrime, improvizime dhe lojëra pas shpinës së qytetarëve. Me tërheqjen e Krenar Llogës, pas largimit të Menduh Thaçit, pas panikut në BDI dhe heshtjes tre–kokëshe Ahmeti–Taravari–Sela tash e tetë ditë, është bërë krejtësisht e qartë: AKI nuk ekziston më. Është shuar, tretur dhe mbetur vetëm si një hije e vetvetes. Këta që dikur pozonin si shpëtimtarë të shqiptarëve, sot nuk kanë guximin të japin as një deklaratë. Heshtja e tyre nuk është taktikë, është kapitullim. BDI tentoi të shesë “reformë” me Blerim Bexhetin, por qytetarët janë lodhur nga paketimi i vjetër me letër të re. Kush tenton të rikthejë të dështuarin si shpëtimtar, vetëm dëshmon se ka mbetur pa ide, pa njerëz dhe pa fytyrë politike”, theksojnë nga Vlen.
Sipas këtij kualicioni: “Rënia e AKI-së është dëshmia më e madhe se kulla e mashtrimeve 20-vjeçare po shkërmoqet gur më gur”.
NAIM SINANI
