Botë
Ukraina nis prodhimin e dronëve interceptues, Zelenski: Dronët godasin me sukses objektivat ruse
15.11.2025 14:44
Ukraina ka nisur prodhimin masiv të dronëve interceptorë për të forcuar mbrojtjen ajrore...

Ukraina ka nisur prodhimin masiv të dronëve interceptorë për të forcuar mbrojtjen ajrore, pas intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike. Moska mohon se ka goditur zona civile, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se janë shënjestruar “objekte ushtarako-industriale dhe energjetike”. BE-ja i dënoi bombardimet të fundit ruse me dronë, të cilat rezultuan me disa civilë të vrarë dhe të plagosur, duke theksuar se mbështetja për Kievin mbetet e palëkundur.
“Ukraina duhet të bëjë gjithçka për t’u siguruar që asnjë sulm rus të mos mbetet i pandëshkuar. Armatimi ynë, sanksionet ndërkombëtare dhe presioni politik ndaj Rusisë, të gjitha këto funksionojnë dhe do të funksionojnë edhe më shumë.”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Moska nuk planifikon të sulmojë NATO-në, por do t’i përgjigjet me të gjitha mjetet e mundshme çdo sulmi që do të vinte nga Aleanca, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.
“Nëse strategëve të NATO-së u shkon në mendje një ide e tillë e çmendur, të sulmojnë Rusinë, ata nuk duhet të dyshojnë se ne do të përgjigjemi me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Jemi të përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm.”, u shpreh zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zaharova.
Edhe Kombet e Bashkuara dënuan sulmet, duke bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftimeve. Sipas Misionit të Monitorimit të të Drejtave të Njeriut në Ukrainë, numri i viktimave civile gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti tashmë ka tejkaluar shifrën e tërë vitit të kaluar.
“Pas sulmeve më të fundit, organizatat humanitare , duke përfshirë agjencitë e OKB-së, organizatat vendase dhe ndërkombëtare, u mobilizuan shpejt për të ndihmuar njerëzit e prekur në Kiev dhe në gjithë Ukrainën. Po sigurohen vakte të ngrohta, materiale për strehim emergjent, batanije dhe produkte higjienike, si edhe mbështetje psikosociale.”, u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriç.
Sulmi ndaj Kievit ishte më i forti në pothuajse tre javët e fundit. Gjashtë persona u vranë dhe mbi 30 u plagosën, përfshirë fëmijë. Forcat ukrainase u kundërpërgjigjën me raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në Rusi. Ndërkohë, fati i Samitit të Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan mbetet ende i pasigurt.
FARIJE DAUTI BAKIU
