Maqedoni
VMRO-DPMNE: AKI po shkatërrohet, shumica parlamentare mund të rritet
15.11.2025 15:05
Largimin e Krenar Llogës nga AShdhe jeta politike, nga VMRO DPMNE e shohin si sinjal...

Largimin e Krenar Llogës nga Aleanca për Shqiptarët dhe jeta politike, nga VMRO DPMNE e shohin si sinjal të ndarjes dhe shkatërrimit të partive të Aleancës Kombëtare për Integrim. Njëherit nga kjo parti nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare, ashtu siç kishte deklaruar dit më parë edhe Adnan Azizi nga VLEN sipas të cilit shumica parlamentare pritet të rritet për tre deri në katër deputetë.
“Partitë që janë në koalicion me BDI-në në të ashtuquajturën Aleanca Kombëtare për Integrim ngadalë por sigurtë po ndahen dhe shkatërrohen. Ndërsa lidhur me rritjen e shumicës në Kuvend, nuk e përjashtojmë rritjen e numrit të deputetëve.”, u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
BDI: Pushteti nuk mund ta sigurojë Badenterin
Por nga BDI thonë se që nga formimi i kësaj Qeverie ata kanë deklaruar se disa deputet do të bëhen pjesë e shumicës por ka ndodhur e kundërta nga Qeveria është larguar ASh e Arben Taravarit.
“Që nga dita e parë edhe para se të formohet kjo Qeveri pa legjitimitet etnik ata për çdo ditë kanë deklaruar se një, dy, tre, apo katër deputet do të largohen nga opozita dhe do të bëhen pjesë e pushtetit, por ne jemi dëshmitarë se ka ndodhur e kundërta, Arben Taravari dhe partia e tij u largua nga ata dhe momentalisht ata kanë numër më të vogël deputetësh, se sa në momentin kur u formua kjo qeveri, pa legjitimitet etnik.”, u shpreh Arbër Ademi nga BDI.
Sipas Ademit sado që të përpiqen, partitë në pushtet nuk do të ia dalin që ta sigurojnë shumicën e Badenterit.
NAIM SINANI
