Ekonomi
Komisionin për Financim dhe Buxhet, buxheti 2026, përplas opozitën dhe pushtetin
15.11.2025 15:20
Në Komisionin për Financa dhe Buxhet po shqyrtohet propozim buxheti për vitin 2026...

Në Komisionin për Financim dhe Buxhet, opozita maqedonase LSDM, akuzon se buxheti i paraparë për vitin 2026 prej 6.73 miliardë euro, kryesisht janë të orientuara drejt shpenzimeve rrjedhëse, me shkurtim rekord të investimeve kapitale dhe projeksion të një shpenzimi më të madh sesa pritet të mblidhen të ardhura buxhetore. Sanja Lukareska nga kjo parti vlerëson se ky buxhet parasheh përgjegjësi fiskale të dobët, reforma reale ekonomike që po mbesin prapa, largim nga strategjia fiskale 2026–2030, rritje të borxhit publik dhe mungesë e mjeteve të parapara për Axhendën e reformave. Borxhi publik sipas saj sërisht do të rritet, nga pothuajse 58% që është tani, me tendencë që në vitin 2026 të jetë më shumë se 62%. Tejkalimi i borxhit publik mbi 60%, është pragu që institucionet ndërkombëtare financiare e vlerësojnë si rrezik për vendet me produktivitet të ulët dhe kapacitete të kufizuara eksportuese. Lukareska, nuk la pa përmendur edhe kritikat e theksuara në raport progresin e fundit të KE-së.
“Ky buxhet është konceptuar në deficit prej 3.5%, rritje ekonomike prej 3.8%. Gjendja momentale e borxhit publik më shumë se 9.5 milardë euro. Inflacioni momental 4.5% dhe realizimi momental i investimeve kapitale 46,78%. Nëse kemi realizim të investimeve kapitale prej 46,78% vështirë që deri në fund të vitit të arrihet në 50%, përfshirë edhe prishjen e baraspeshës mes shpenzimeve produktive dhe joproduktive.”, u shpreh Sanja Lukarevska nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se buxheti për vitin 2026 është vizionar dhe mirë i organizuar i cili premton rritje stabile, jo eksprese. Deputetja Dafina Stojanovska nga kjo parti, akuzoi se gjendjen në të cilën ndodhet vendi që euro-obligacionet të realizohen gjatë kohës së këtij pushteti është planifikuar më herët nga pushteti LSDM-BDI.
“Ju punuat vetëm për kohën tuaj pa ju lëvizur farë syri për të nesërmen. Punuat vetëm për xhepat tuaj, për kompanitë tuaja, për njerëzit tuaj. Pa mëshirë keni vjedhur në llogari të shtetit dhe tani po e kritikoni këtë buxhet. Ne për dallim nga ju nuk po e zbrazim arkën shtetëror, por e mbushim atë. Atë e patë në shumë parametra, si me pagesën në dogana, në pikëpagesat rrugore apo me pagesat nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.”, u shpreh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, debat nxiti edhe vërejtje të deputetit nga Lëvizja për të Drejtat dhe Demokracinë e Turqve të Maqedonisë, Sali Murat.Ai vlerësoi se buxheti është efektiv dhe diskriminues ndaj komuniteteve më të vogla.
“Sërisht sikurse edhe vitin e kaluar ballafaqohemi me buxhet i cili nuk është real, fiktiv dhe selektiv në disa fusha edhe diskriminues ndaj komuniteteve më të vogla siç janë komuniteti turk. Qeveria në mënyrë sistematike paraqet projekte joreale vetëm që të arsyetojë shpenzimin e parave të cilat nuk i ka.”, u shpreh Sali Murati nga Lëvizja për të Drejtat dhe Demokracinë e Turqve të Maqedonisë.
Buxheti i planifikuar parasheh 374,7 miliardë denarë të ardhura, dhe 413,9 miliardë denarë shpenzime. Rritja ekonomike parashihet të arrijë në 3,8%, inflacioni në 2,5% ndërsa deficit buxhetor në 3,5%.
FLORIJE BELULI KAMBERI
