Maqedoni
Tragjedia në Koçan, marshi protestues në Shkup, kërkon drejtësi
15.11.2025 15:34
Në marshin e 30 protestues për viktimat nga tragjedia në diskotekën "Pulse" në Koçan...

Në marshin e 30 protestues për viktimat nga tragjedia në diskotekën "Pulse" në Koçan, kryeqyteti u vërshua nga një numër i konsideruar i qytetarëve me parullat me mesazhe për drejtësi. “Fëmija im u vra nga një sistem që nuk mbron, por vret”, “Sa jetë fëmijësh duhet të shuhet për t’u zgjuar?”, dhe “Ne humbëm, ju ende keni për çfarë të luftoni”, janë disa nga mesazhet e përçuara në marshin e sotëm në nder të 63 jetëve të humbura, që filloi në sheshin "Maqedonia" kaloi para Kuvendit dhe përfundoi para Gjykatës Penale. Prindërit e viktimave apeluan se fatet e tyre nuk duhet të mbeten të fshehura pas dështimeve institucionale dhe llogaridhënieve politike ndërsa nga Kuvendi kërkuan formimin e komisionit të pavarur për hetim.
“Të nderuar deputet, kërkojmë që të ngritni iniciativë për mbajtjen e një seancë mbikëqyrëse para komisionit kompetent kuvendorë si dhe të formoni komision të posaçëm anketues për hetim të plotë dhe të pavarur të tragjedisë. Humbja nuk është numër, por jetë. Tragjedia në Koçan, paraqet fyerje serioze e të drejtave themelore të njeriut, të drejtën për jetë, të drejtën për siguri dhe të drejtën për veprim efektiv dhe në kohë të institucioneve në situatë me kërcënim për jetën. Kërkojmë të vërtetohet pse institucionet u vonuan. Askush nuk duhet të jetojë me mendimin se dikush ka mundur të shpëtohet, por nuk është shpëtuar.”, u shpreh Natalija Gjorgjeska, bashkëshorte e këngëtarit nga grupi “DNK”.
“Sikur harruan se ky Kuvend është në Shkup, qytetin e solidaritetit. Ky kuvend ka parë se si bota është bashkuar që të ndërtohet ky qytet. E ata çfarë bënë, shkuan dy javë në pushim.”, u shpreh Borjan Eftimov nga OJQ "Kush e ka radhën?".
Gjykimi për tragjedinë në Koçan fillon më 19 nëntor dhe do të mbahet në sallën e burgut në Idrizovë. Në aktakuzë janë të përfshirë 35 persona fizik dhe tre persona juridikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë komunash, drejtorë, inspektorë dhe persona përgjegjës në kompanitë lidhur me klubin e natës. Në zjarrin më 16 mars humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën.
FLORIJE BELULI KAMBERI
