Botë
Përkeqësohet raportet Japoni–Kinë, tensionet për Tajvanin arrijnë kulmin
15.11.2025 16:42
Tensionet mes Japonisë dhe Kinës kanë arritur kulmin këtë muaj për shkak të Tajvanit...

Tensionet mes Japonisë dhe Kinës kanë arritur kulmin këtë muaj për shkak të Tajvanit, pasi deklaratat e fundit të Pekinit dhe Tokios i kanë çuar marrëdhëniet në nivelin më të rrezikshëm të viteve të fundit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, paralajmëroi se Kina nuk do të bëjë kompromis mbi interesat e saj kryesore, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe çdo përpjekje për të penguar ribashkimin e saj është e destinuar të dështojë. Deklarata erdhi për komentet provokuese të Japonisë mbi Tajvanin, që nënkuptojnë mundësinë e ndërhyrjes së armatosur në Ngushticën e Tajvanit.
“Shkaku kryesor është se kryeministrja japoneze bëri komente jashtëzakonisht të gabuara, të rrezikshme dhe provokuese mbi Tajvanin dhe refuzoi të tërhiqet ose të ndryshojë kursin. Këto komente ndërhyjnë rëndë në punët e brendshme të Kinës, shkelin ligjin ndërkombëtar dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, dëmtojnë rendin ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore, kundërshtojnë principin e Një-Kine dhe dokumentet politike mes Kinës dhe Japonisë, prishin bazat politike të marrëdhënieve Kinë-Japoni dhe lëndojnë ndjenjat e popullit kinez.”, u shpreh zëdhënësi i MPJ-së kineze, Lin Jian.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit do të përbënte “kërcënim për mbijetesën e Japonisë”, duke shkaktuar zemërim të madh në Pekin.
“Nëse Kina përdor anije luftarake dhe forcë ushtarake ndaj Tajvanit, atëherë situata mund të përbëjë një ‘krizë ekzistenciale për Japoninë, që sipas ligjit të sigurisë japoneze mund t’i japë të drejtën Japonisë për t’u përfshirë me forcat e vetëmbrojtjes.”, u shpreh kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi.
Për shekuj me radhë, Tajvani ka qenë një pikë konflikti dhe interesash të kundërta, nga kolonizimi japonez në fillim të shekullit të 20-të, deri te lufta për sovranitetin dhe statusin e ishullit pas Luftës së Dytë Botërore. Deklaratat dhe veprimet e fundit japoneze dhe kineze tregojnë se, përtej politikës së ditës, Tajvani mbetet një çështje që mund të ndezë tensione serioze në rajon, duke rrezikuar stabilitetin e të gjithë Paqësorit Lindor.
FARIJE DAUTI BAKIU
